Sistemet Goktan, Koral, Ejderha, Turan dhe Gurz, të zhvilluara për t’u integruar në mbrojtjen ajrore turke, janë prezantuar në IDEF në Stamboll
Firma turke Aselsan zbuloi sisteme të reja të zhvilluara për t’u integruar në mbrojtjen ajrore me shumë shtresa të Turqisë “Kupola e Çeliktë”, duke i prezantuar në Panairin e Industrisë Ndërkombëtare të Mbrojtjes së kësaj jave (IDEF 2025) në Stamboll.
Ahmet Akyol, drejtori i përgjithshëm i firmës, tha në këtë ngjarje, e cila filloi të martën, se firma zhvilloi produkte të reja elektromagnetike, duke prezantuar sistemin “Ejderha” – një sistem i mbrojtjes ajrore për të neutralizuar mjete si dronët në tufë apo kamikazë.
“Po prezantojmë mburojën elektromagnetike të Kupolës së Çeliktë për herë të parë në skenën ndërkombëtare”, tha ai. “Kjo është një teknologji që mund të çaktivizojë fizikisht qarqet elektronike të mjeteve ajrore kur hyjnë në një gamë të caktuar – afërsisht një kilometër”, shtoi Akyol.
Ai tha se Ejderha përdor valë elektronike me fuqi të lartë dhe do të veprojë si mburojë e rëndësishme, ndërsa versioni i ri i sistemit elektronik të luftës “Koral” do të bllokojë dhe do të shkatërrojë radarin e objektivave armiqësore, “duke hapur një gamë të gjerë llojesh për aeroplanët tanë dhe automjetet ajrore pa pilot (UAV) kundër sistemeve të mbrojtjes ajrore – tani me rreth dyfishim të performancës kundrejt Koralit tashmë prezent”.
Ai theksoi se sistemi “Turan”, i vendosur të funskionojë me Kupolën e Çeliktë, është një arkitekturë e fuqishme e inteligjencës artificiale (AI), e cila do të mundësojë që të gjithë elementët brenda sistemit ajror me shumë shtresa të ndërlidhen dhe të menaxhohen nga një rrjet i vetëm, ndërsa sistemi autonom i mbrojtjes raketore “Gurz” do të zbatohet si mjet tokësor pa pilot.
Akyol tha se teknologjia e re e mbrojtjes ajrore “Goktan” do të kombinojë sistemet e raketave me teknologjinë e drejtuar me municione, duke u mundësuar atyre të lançohen nga toka në lartësi të caktuara në vend që të lëshohen nga avionët.
Ai shtoi se përpjekjet e Aselsanit për Kupolën e Çeliktë të Turqisë i kanë mundësuar kompanisë të punojë në arkitekturën e mbrojtjes ajrore të NATO-s.
Sistemi i sulmit me precizion i bazuar në tokë i Aselsanit, Goktan, do të sigurojë saktësi të plotë kundër objektivave nga të gjitha drejtimet ndërsa reziston ndaj bllokimit të GNSS-së, ndërsa versioni i ri i “Koral 200” do të “heshtë” mbrojtjet ajrore të armikut, Ejderha do të neutralizojë dronët me mikrovalë, sistemi Turan do të mundësojë lidhje dhe koordinim të pandërprerë me enkriptim të fortë, ndërsa sistemi pa pilot për mbrojtje ajrore Gurz do të përballet me avionët me rreze të shkurtër veprimi, si ata me krahë fikse ashtu edhe ata me rotorë, duke përdorur raketa.
Tani në edicionin e saj të 17-të, panairi gjashtëditor i IDEF 2025 u hap të martën. Ngjarja organizohet nga “KFA Fairs” me mbështetje nga Sekretariati i Industrive të Mbrojtjes të Turqisë dhe Fondacioni Turk i Forcave të Armatosura, ndërsa Anadolu është partner global i komunikimit.