– SDP, të Gjelbrit dhe Aleanca e Majtë bëjnë thirrje për veprime të menjëhershme, por Partia Finlandeze dhe Demokratët e Krishterë bllokojnë përparimin e qeverisë.
Shumica e partive parlamentare në Finlandë mbështesin njohjen e shtetit të Palestinës, por rezistenca nga dy partitë qeverisëse po vonon progresin, sipas sondazhit të publikuar nga “Yle”, transmeton Anadolu.
Partia Social Demokrate (SDP) e ka ngurtësuar qëndrimin e saj që nga maji.
“Finlanda padyshim do të jetë në anën e gabuar të historisë nëse nuk e njeh shtetin e Palestinës më së voni deri në kohën kur Franca synon ta bëjë këtë zyrtarisht gjatë javës së OKB-së këtë vjeshtë”, tha Tytti Tuppurainen, kryetare e grupit parlamentar të SDP-së.
Partia e Koalicionit Kombëtar (NCP) dhe Partia Popullore Suedeze (SPP) mbështesin njohjen, por favorizojnë një afat kohor më të ngadaltë.
“Njohja duhet të jepet në një kohë kur konsiderohet se promovon më së miri stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon dhe si pjesë e një kuadri më të gjerë që promovon sigurinë e të dyja palëve. Detyra më urgjente është të lehtësohet kriza akute humanitare në Gaza”, tha Jukka Kopra, kryetar i grupit parlamentar të NCP-së.
Partia Finlandeze dhe Kristian Demokratët kundërshtojnë njohjen.
“Rajoni aktualisht nuk i plotëson kushtet për një model me dy shtete dhe terrorizmi nuk është zhdukur ende”, tha Jani Makela, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Finlandeze.
Ndërkaq të Gjelbrit dënuan reagimin e qeverisë ndaj Rripit të Gazës.
“Pasiviteti dhe kujdesi i qeverisë përballë gjenocidit në Gaza do të mbetet një njollë e neveritshme në historinë e Finlandës”, tha Oras Tynkkynen, kryetar i grupit parlamentar i të Gjelbërve.
Të premten, presidenti finlandez Alexander Stubb e përshkroi situatën në Gaza si “gjithnjë e më çnjerëzore” dhe “urinë e shkaktuar nga njeriu” si “të mjerueshme dhe të turpshme”.
Diskutimet mbi njohjen e Palestinës morën vrull edhe një herë pasi Franca njoftoi se do ta njohë zyrtarisht Palestinën gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.