Finlanda përgatitet të mbyllë plotësisht kufirin lindor me Rusinë

Më 16 nëntor, Finlanda njoftoi vendimin e saj për të mbyllur 4 pika kufitare me Rusinë

Finlanda përgatitet të mbyllë plotësisht kufirin lindor me Rusinë për shkak të fluksit të parregullt të emigrantëve në vend nga pala ruse, transmeton Anadolu.

Sipas të përditshmes “Ilta Sanomat”, sapo të përfundojnë përgatitjet përkatëse, qeveria do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar mbylljen e kufirit ruso-finlandez.

“Duke bërë këtë, Finlanda dëshiron t’i dërgojë mesazh shumë të qartë dhe të fortë Rusisë. Ne nuk do të përkulemi para luftës hibride të Rusisë”, tha një burim qeveritar për të përditshmen.

Mbyllja e 4 pikave kufitare javën e kaluar nuk krijoi efektin e dëshiruar, tha burimi duke pretenduar se Rusia vazhdon të shtyjë migrantët e parregullt në Finlandë përmes kalimeve kufitare të cilat mbetën të hapura.

Më 16 nëntor, Finlanda njoftoi vendimin e saj për të mbyllur 4 pika kufitare me Rusinë nga mesnata e 17 nëntorit në përgjigje të dyshimeve se zyrtarët rusë kishin lejuar azilkërkuesit pa dokumente të mbërrinin në kufirin finlandez.

Të nesërmen, Helsinki lëshoi një deklaratë tjetër duke paralajmëruar se qeveria ishte e përgatitur të ndërmarrë veprime shtesë nëse vendimi për mbylljen e 4 pikave kufitare nuk ndihmon në qetësimin e situatës në kufirin lindor me Rusinë.

Kategoritë
BotaLajme