Një hetim i Financial Times (FT) ka zbuluar një vizitë të fshehtë të ekspertëve bërthamorë iranianë në Rusi, gjatë së cilës ata kanë vizituar institute shkencore që zhvillojnë teknologji të ashtuquajtura “me përdorim të dyfishtë” — komponentë që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe për ato ushtarake, përfshirë zhvillimin e armëve bërthamore.
Sipas FT, më 4 gusht të vitit të kaluar, një delegacion pesë anëtarësh nga Irani, i kryesuar nga fizikan bërthamor Ali Kalvandi, themelues i kompanisë konsulente DamavandTec, ka udhëtuar me avion të kompanisë Mahan Air nga Teherani në Moskë. Zyrtarisht, vizita ishte për bashkëpunim shkencor, por detajet e zbuluara sugjerojnë qëllime shumë më serioze.
Të gjithë anëtarët e delegacionit udhëtuan me pasaporta diplomatike të lëshuara pak para nisjes, dhe të paktën tre prej tyre, sipas burimeve të inteligjencës perëndimore, janë të lidhur me Organizatën për Inovacione dhe Kërkime të Mbrojtjes (SPND) — një njësi sekrete e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit, që SHBA dhe OKB e konsiderojnë pasardhës direkt të programit iranian për armë bërthamore të pezulluar në vitin 2003.
Në maj të vitit të kaluar, DamavandTec kontaktoi një kompani ruse për blerjen e izotopeve, përfshirë tritiumin — një material radioaktiv që përdoret në mjekësi, por edhe për rritjen e fuqisë shpërthyese të koka-bërthamoreve. Tritiumi kontrollohet rreptësisht nga marrëveshjet ndërkombëtare për mosshpërndarjen e armëve të shkatërrimit në masë, dhe vetë interesi për ta siguruar atë konsiderohet “flamur i kuq” nga ekspertët.
Dokumentet e analizuara nga FT, përfshirë letra, pasaporta dhe regjistrime zyrtare të kompanive në Iran e Rusi, tregojnë se udhëtimi ishte planifikuar me kujdes. Institucionet ruse të vizituara nga delegacioni përfshijnë qendra kërkimore të lidhura me konglomeratin shtetëror ushtarak Rostec dhe shërbimin rus të inteligjencës ushtarake GRU.
Ekspertët perëndimorë dyshojnë se këto vizita nuk do të ishin të mundura pa dijeninë e Shërbimit të Sigurisë Ruse (FSB). Disa nga partnerët rusë të delegacionit, si shkencëtari Oleg Maslennikov, janë të specializuar në teknologji vakumi dhe tuba klystron, që përdoren në testime të implozioneve bërthamore.
Edhe pse vetë vizita nuk provon se Irani po zhvillon aktivisht armë bërthamore, ajo përputhet me modelin e “paqartësisë strategjike” që Teherani përdor prej vitesh — duke zhvilluar njohuri dhe teknologji që në të ardhmen mund të shfrytëzohen për prodhimin e bombës, pa e shpallur zyrtarisht nisjen e programit.
SHBA ka vendosur së fundmi sanksione të reja kundër SPND-së, duke e akuzuar për punë në teknologji që mund të përdoren për zhvillimin e armëve bërthamore dhe sistemeve të dorëzimit të tyre.
Ndërsa Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore, dhe Rusia zyrtarisht kundërshton idenë e një bombe iraniane, shumë ekspertë paralajmërojnë se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të ketë zbutur qasjen e Kremlinit ndaj mosshpërndarjes bërthamore, sidomos nëse kjo forcon aleancën me Iranin.
Në qershor të këtij viti, gjatë bombardimeve izraelite mbi objektet bërthamore iraniane, u godit edhe selia e SPND-së; ndër viktimat ishte Fereydoon Abbasi-Davani, figurë kyçe e programit bërthamor iranian dhe mentor i disa anëtarëve të delegacionit që vizitoi Rusinë gushtin e kaluar.
FT përfundon se, pavarësisht dëmeve fizike mbi objektet, është e vështirë të shkatërrohet ajo që SPND dhe themeluesit e saj kanë ndërtuar — një rrjet ekspertësh, njohurish dhe vazhdimësie institucionale që mund të mbijetojë edhe pas sulmeve më të mëdha.
“Fuqia jonë qëndron tek shkencëtarët tanë,” kishte deklaruar Abbasi-Davani një muaj para vdekjes, duke lënë një paralajmërim për Perëndimin se ambicia bërthamore e Iranit nuk mbështetet vetëm mbi centrifuga — por edhe mbi njerëzit që dinë t’i përdorin ato.