“Izraeli ndjek një politikë që synon dobësimin e rajonit të tij dhe mbajtjen e tij në kaos”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media pas takimit të tij me homologen nga Salvadori, Alexandra Hill, në kryeqytetin Ankara
Nëse grupet në Siri lëvizin drejt përçarjes dhe destabilizimit, Turqia do ta konsiderojë atë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e saj kombëtare dhe do të ndërhyjë, tha të martën ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, raporton Anadolu.
“Izraeli ndjek një politikë që synon dobësimin e rajonit të tij dhe mbajtjen e tij në kaos”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media pas takimit të tij me homologen nga Salvadori, Alexandra Hill, në kryeqytetin Ankara.
Fidan tha se Izraeli, i cili nuk dëshiron të shohë një vend të qëndrueshëm në rajonin e tij, synon të ndajë Sirinë.
Më 13 korrik, shpërthyen përleshje midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në qytetin sirian Suwayda. Dhuna u përshkallëzua dhe pasuan sulmet ajrore izraelite, duke përfshirë edhe mbi pozicionet dhe infrastrukturën ushtarake siriane në Damask.
Izraeli përmendi “mbrojtjen e komuniteteve druze” si pretekst për sulmet e tij.
Megjithatë, shumica e udhëheqësve druzë në Siri kanë hedhur poshtë publikisht çdo ndërhyrje të huaj dhe kanë riafirmuar angazhimin e tyre për një shtet të bashkuar sirian.
Në përgjigje të dhunës në rritje, qeveria siriane njoftoi katër marrëveshje armëpushimi në Suwayda, e fundit prej të cilave u arrit të shtunën.
Qeveria e re siriane ka punuar për të rivendosur rendin në të gjithë vendin që nga rrëzimi i ish-Presidentit Bashar Asad më 8 dhjetor 2024.