Fidan: Stabiliteti në Ballkan është me rëndësi të madhe për paqen dhe sigurinë e rajoneve fqinje

“Ky rajon për Turqinë nuk është vetëm një prioritet strategjik, por një zonë e lidhur ngushtë edhe me lidhje kulturore dhe njerëzore”, tha ministri i Jashtëm turk pas takimit të Platformës së Paqes për Ballkanin.

 Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, tha se stabiliteti i Ballkanit ka rëndësi të madhe për paqen dhe sigurinë jo vetëm të Evropës, por edhe për rajonet përreth, raporton Anadolu.

Fidan ishte mikpritës i Platformës së Paqes për Ballkanin të mbajtur në Stamboll, ku morën pjesë ministrat e jashtëm të vendeve të rajonit.

“Ky rajon për Turqinë nuk është vetëm një prioritet strategjik, por një zonë e lidhur ngushtë edhe me lidhje kulturore dhe njerëzore”, tha ai në një konferencë për media pas takimit të platformës.

Ministri i Jashtëm turk theksoi se Ballkani është një nyje strategjike ndërmjet Evropës, Lindjes së Mesme, Mesdheut dhe Detit të Zi dhe se historikisht ka qenë në qendër të ekuilibrave politikë, ekonomikë dhe të sigurisë.

“Stabiliteti i Ballkanit është me rëndësi të madhe për paqen dhe sigurinë e rajoneve përreth, veçanërisht për Evropën”, theksoi kryediplomati turk.

“Bashkëpunimi ynë dypalësh me vendet e rajonit po zhvillohet në shumë dimensione. Përmes kontakteve të nivelit të lartë, bashkëpunimi po shtrihet çdo ditë në fusha të reja. Ne besojmë se stabiliteti në Ballkan mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm përmes forcimit të mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit midis vendeve të rajonit. Në thelb të këtij qëndrimi qëndron parimi i mbështetjes rajonale”, shtoi ai.

Fidan tha se Platforma e Paqes për Ballkanin përbën një hallkë të re të këtij qëndrimi dhe se objektivi është të krijohet një strukturë origjinale, e përqendruar në rezultate, që trajton sinqerisht problemet dhe mundëson kontakte të rregullta mes palëve.

Ai shtoi se dëshirojnë të krijojnë një terren ku fjala “Ballkan” të mos nënkuptojë përçarje dhe ndasi, por bashkëpunim dhe solidaritet, dhe se janë të përkushtuar që të kontribuojnë në paqen dhe begatinë e rajonit dhe rrethinës së tij.

“Ne nuk synojmë të zëvendësojmë asnjë proces ekzistues, por të mbështesim mekanizmat aktualë. Në veçanti, ofrojmë një kornizë mbështetëse për përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, duke filluar nga Procesi i Dialogut Beograd–Prishtinë,” tha Fidan, duke shtuar se sot janë mbledhur për të gjetur zgjidhje ballkanike për problemet ballkanike dhe për të zhvilluar projekte konkrete.

Ai tha se përveç zhvillimeve politike në rajon, janë shkëmbyer mendime edhe mbi sigurinë energjetike, forcimin e lidhshmërisë, bashkëpunimin rajonal dhe mundësitë për ndërtimin e kapaciteteve.

Fidan theksoi se mekanizmat e dialogut rajonal janë më të nevojshëm se kurrë dhe se vendimet për rajonin duhet të merren së bashku.

“Kemi një histori të përbashkët, me dhimbjet dhe bukuritë e saj. Por nuk duhet ta lejojmë këtë histori të na burgosë në qorrsokakët e së kaluarës. Duhet të nxjerrim mësime nga historia jonë e përbashkët dhe të marrim përgjegjësinë për ta formësuar të ardhmen bashkë. Nuk mund ta lëmë të ardhmen në dorën e rastësisë ose të të tjerëve”, nënvizoi ai.

Fidan tha se shpreson që Platforma e Paqes për Ballkanin t’i shërbejë këtij synimi, dhe se me përpjekjen për të ndërtuar një Ballkan që prodhon së bashku dhe i sheh dallimet si pasuri, kanë nisur këtë iniciativë për të punuar të gjithë së bashku.

Në kuadër të plaformës, Fidan takoi homologët e tij nga Ballkani. Ministrat nga Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria iu bashkuan Turqisë për të diskutuar shqetësimet dhe projektet e përbashkëta.

Kategoritë
BotaLajme