– Islamabadi dhe Ankaraja ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në ekonomi, industrinë e mbrojtjes dhe energji.
Kompanitë turke do të kryejnë aktivitete eksplorimi të naftës dhe gazit natyror në brigjet e Pakistanit, njoftoi të mërkurën ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Muhammad Ishaq Dar në Islamabad, Fidan nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme për të rritur vëllimin e tregtisë dypalëshe në 5 miliardë dollarë.
Ai theksoi se të dy vendet po vlerësojnë mekanizmat e bashkëpunimit në sektorë të tillë si minierat, gazi natyror, nafta dhe elementët e rrallë të tokës. “Në këtë kontekst, marrëveshja e nënshkruar në prill midis Korporatës Turke të Naftës (TPAO) dhe kompanive kombëtare të naftës të Pakistanit përfaqëson një hap shumë të rëndësishëm përpara”, tha Fidan.
Falë kësaj marrëveshjeje, kompanitë turke dhe pakistaneze do të jenë në gjendje të eksplorojnë së bashku naftë dhe gaz në zonat në det të hapur të Pakistanit, një veprim i paprecedentë në historinë e bashkëpunimit energjetik turko-pakistanez.
Ishaq Dar tha se Islamabadi dhe Ankaraja ranë dakord të forcojnë më tej bashkëpunimin në një sërë fushash, duke përfshirë ekonominë, industrinë e mbrojtjes, energjinë dhe infrastrukturën. Duke lavdëruar industrinë turke të mbrojtjes, Dar tha se Islamabadi dëshiron të forcojë më tej bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm strategjik dhe të industrive të mbrojtjes dhe promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Dy palët janë “aktive” të angazhuara në aktivitete të ndryshme, përfshirë ndërtimin e kapaciteteve në luftën kundër terrorizmit, tha Dar. Kompanitë turke do të marrin pjesë në privatizimin e kompanive të shpërndarjes në sektorin e energjisë, shtoi ai.
Dar tha se dy palët, po ndjekin krijimin e një zone të veçantë ekonomike të dedikuar për sipërmarrësit turq në Karaçi dhe Stamboll. Ai tha se Islamabadi dhe Ankaraja ranë dakord të riaktivizojnë komisionin e përbashkët ministror, pas një ndërprerjeje prej 11 vitesh, i cili do të bashkë-kryesohet nga ministri i Tregtisë i Pakistanit, Jam Kamal dhe ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yaşar Güler.
“E gjithë kjo punë do të hedhë një themel të fortë për Këshillin e tetë të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë”, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Turqi, shtoi ai.