Ministri Darmanin tha se 15 mijë oficerë të policisë do të vendosen për të garantuar sigurinë dhe për t’u siguruar që traktorët të mos lëvizin brenda kryeqytetit Paris dhe qyteteve të tjera të mëdha
Fermerët kanë bllokuar autostradat përreth kryeqytetit francez Paris për të protestuar ndaj politikave bujqësore të qeverisë dhe rregulloreve të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Sipas raportimeve në media, pas njoftimeve të kryeministrit Gabriel Attal të premten e kaluar, disa fermerë preferuan t’i japin fund demonstratave të tyre dhe të pastrojnë autostradat që bllokuan veçanërisht Francën jugperëndimore. Megjithatë, grupe të tjera zgjodhën të zgjerojnë protestat në të gjithë vendin.
Rreth orës 14 pasdite, raporton e përditshmja ‘Le Figaro’, fermerët me afër 800 traktorë filluan të mbërrijnë në tetë autostradat e synuara të Parisit.
Pasdite, pesidenti Emmanuel Macron caktoi një takim me disa ministra për të diskutuar situatën.
Ministri i Bujqësisë, Marc Fesneau, u zotua se do të njoftojë masa të reja në 48 orët e ardhshme.
Dje, ministri i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, tha se 15 mijë oficerë të policisë do të vendosen për të garantuar sigurinë dhe për t’u siguruar që traktorët të mos lëvizin brenda kryeqytetit Paris dhe qyteteve të tjera të mëdha.
Të premten e kaluar, kryeministri Attal në një takim me fermerët protestues hoqi dorë nga planet e qeverisë për të rritur në mënyrë progresive taksën për karburantet bujqësore me 0,03 euro në vit deri në vitin 2030.
Ai gjithashtu u zotua të thjeshtojë në mënyrë drastike procedurat administrative.
Ligji Egalim i vendit, i cili synon të mbrojë të ardhurat e fermerëve në negociatat me industrinë dhe supermarketet, ishte një tjetër pikë debati për fermerët protestues.
Attal premtoi se do të sigurojë respektimin e ligjit, të ushtrojë presion maksimal në negociatat tregtare dhe të sanksionojë rëndë ndërmarrjet që refuzojnë të respektojnë ligjin.
Kryeministri francez gjithashtu premtoi shpërndarjen e shpejtë të ndihmës për emergjencat financiare, por deklaratat e tij më pas ndanë fermerët.
Ata po ashtu po kundërshtojnë presionin në rritje të rregulloreve të BE-së.
Protestat filluan dy javë më parë pasi demonstruesit bllokuan autostradat në Francën jugperëndimore.
Vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Rumaninë, u tronditën javët e fundit nga protestat e fermerëve që kanë kritikuar rregulloret e BE-së, duke përfshirë Marrëveshjen e Gjelbër dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore.
Programi i Marrëveshjes së Gjelbër i BE-së, i shpallur në vitin 2019, synon të arrijë neutralitetin e klimës dhe zero emetime të karbonit në BE deri në vitin 2050.