Kreu i LVV-së, Albin Kurti, të mërkurën u kishte dërguar një ftesë kryetarëve të PDK-së dhe LDK-së. Abdixhiku e kishte refuzuar menjëherë, ndërkohë Memli Krasniqi kishte pranuar që të takohej me Kurtin sot në mëngjes, ndonëse pa asnjë rezultat
Mënyra se si LVV tentoi të ndryshojë mënyrën e votimit për kryetaren e Kuvendit në seancën e sotme, ka irrituar partitë politike.
Lumir Abdixhiku menjëherë pasi dështoi seanca, ka shkruar nga Spanja se ajo që ndodhi është tregues se pse s’duhet të takohesh me dikë si Albin Kurti, sepse “të takojnë, e të mashtrojnë”.
Kjo si duket ka acaruar pakës zyrtarët e PDK-së. Abelard Tahiri ka thënë se sot kreu i partisë e ka bërë të qartë se PDK s’bën kompromis në dëm të qytetarëve .
Sipas Tahirit, takimet me kundërshtarët politikë, për ata që merren me politikë, janë fushëbeteja që nuk guxojnë të shmangen. Sipas tij, shmangia të bën të dukesh i dobët.
“Edhe sot, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e bëri të qartë se jemi këtu dhe nuk bëjmë asnjë kompromis në dëm të qytetarëve të Kosovës. PDK është e vendosur ta bëjë Kosovën #MaMirë – dhe këtë do ta arrijmë me Bedri Hamzën si Kryeministër”, ka shkruar Tahiri