Familjet e viktimave kritikojnë raportin, që lë fajtor pilotin për rrëzimin e aeroplanit të Koresë së Jugut me 181 pasagjerë në bord

Një hetim mbi katastrofën më vdekjeprurëse ajrore të Koresë së Jugut, ka zbuluar se një pilot gabimisht e fiku motorin e gabuar, raportuan mediat lokale.

Të gjithë, përveç dy prej 181 personave në bordin e fluturimit 2216 të Jeju Air, humbën jetën kur ai u përplas me një barrierë në dhjetor, ndërsa po përpiqej të ulej në aeroportin ndërkombëtar Muan, pas një përplasjeje me shpendë në një nga motorët e tij.

Publikimi i hetimit, i planifikuar për fundjavën e kaluar, është shtyrë pas protestave nga familjet e viktimave, të cilat u informuan mbi gjetjet e tij.

Ata akuzuan hetuesit se ia hodhën fajin pilotit, duke injoruar faktorë të tjerë që kontribuan, transmeton Telegrafi.

Në mëngjesin e 29 dhjetorit, pilotët e fluturimit 2216 raportuan një përplasje me shpendë dhe bënë një thirrje paralajmëruese ndërsa aeroplani i tyre po i afrohej pistës.

Pilotët më pas u përpoqën të uleshin nga drejtimi i kundërt. Videoja tregoi aeroplanin duke bërë një ulje me bark – pa marsh uljeje – dhe duke rrëshqitur përgjatë pistës në një barrierë betoni.

Dy motorët e aeroplanit u dërguan në Francë në mars për analiza. Gjetjet e fundit nga Bordi i Hetimit të Aksidenteve të Aviacionit dhe Hekurudhave të Koresë së Jugut, zbuluan se një pilot kishte fikur motorin e majtë – i cili nuk kishte defekte – në vend të motorit të djathtë, i cili ishte dëmtuar rëndë nga goditja e shpendëve.

Megjithatë, familjet e viktimave thanë se raporti nuk përmendte barrierën e betonit në fund të pistës, të cilën ata argumentuan se e bëri aksidentin kaq shkatërrues.

“Familjet e të pikëlluarve kërkojnë një hetim të drejtë dhe transparent për aksidentin”, thanë ata në një deklaratë, dhe u kërkuan hetuesve të zhvillojnë një konferencë për shtyp “vetëm pasi të jetë përfunduar një ekzaminim i plotë dhe i kujdesshëm”.

Në një deklaratë të dielën, sindikata e pilotëve të Jeju Air kritikoi në mënyrë të ngjashme gjetjet e fundit për gjoja përqendrimin në gjykimin e gabuar të pilotëve dhe minimizimin e faktorëve të tjerë që kontribuan.

Megjithatë, një burim me njohuri për hetimin i tha Reuters se hetuesit nuk do t’i ndryshonin gjetjet e tyre, pasi kishin “prova të qarta dhe të dhëna rezervë”.

Pas rrëzimit, ministria e Transportit e Koresë së Jugut tha në janar se do të hiqte barrierat e betonit në shtatë aeroporte.

Kategoritë
BotaLajme