Evropianët kërkuan nga amerikanët të dislokojnë avionë F-35 në Rumani për të penguar sulmet e reja ruse

Gjeneralët evropianë i kërkuan SHBA-së, gjatë bisedimeve të fundit mbi situatën ushtarake në Ukrainë, të dislokojnë avionë F-35 në Rumani si masë për të penguar operacionet e reja ruse në lindje të Ukrainës.

Si bazë është propozuar baza ajrore e forcave ajrore rumune Mihail Kogălniceanu, ku aktualisht po zhvillohen punime të mëdha për zgjerim dhe rritje të kapaciteteve.

Në këtë kuadër, javën e kaluar, gjenerali Dan Caine, si kryetar i shtabit të përbashkët të forcave të armatosura amerikane, priti kolegët nga Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Finlanda dhe Italia në Uashington për të diskutuar kërkesat logjistike.

Qeveritë evropiane kërkuan gjithashtu angazhime nga SHBA që të vazhdojë mbikëqyrjen satelitore dhe zbulimin në Ukrainë, si dhe shtuan kërkesën që forcat ukrainase të pajisen me sisteme kundërajrore Patriot dhe NASAMS.

Nga ana tjetër, Rumania tashmë ka dislokuar avionë luftarakë si masë parandaluese ndaj sulmeve ruse me dronë të drejtuara kundër porteve ukrainase në Danub. Gjithashtu, dy avionë Eurofighter Typhoon të forcave ajrore gjermane janë dërguar për patrullim në hapësirën ajrore kufitare rumune, megjithëse gjatë misionit të tyre nuk ka pasur shkelje të hapësirës ajrore.

Një motiv shtesë për këtë kërkesë të liderëve ushtarakë e politikë evropianë buron nga vendimi i Donald Trumpit se SHBA nuk do të dërgojë trupa në operacione të mbështetjes dhe ruajtjes së paqes në Ukrainë pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes me Rusinë.

Kategoritë
BotaLajme