Një sistem i fuqishëm me presion të ulët është zhvendosur në Evropën Qendrore, duke çuar në alarme të kuqe në Danimarkë dhe paralajmërime për stuhi përgjatë bregut të Balltikut në Gjermani dhe Poloni.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, harta e devijimit të indeksit të motit për zjarre tregon dy zona të mëdha me kushte ekstreme dhe shumë ekstreme.
“Një zonë përfshin pjesën më të madhe të Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës,” thuhet në raport.
Zona tjetër mbulon pjesën juglindore të kontinentit, përfshirë Italinë e Jugut, Ballkanin, Greqinë, Qipron, Bullgarinë, Rumaninë dhe Türkiyen.
Europa Perëndimore dhe Qendrore pritet të ketë rrezik më të ulët për zjarre, ndërsa Gadishulli Iberik do të përjetojë anomali të larta deri shumë të larta të këtij indeksi.
Ndryshimet klimatike po përshpejtojnë shfaqjen e fenomeneve ekstreme të motit në kontinentin që po ngrohet më shpejt se çdo pjesë tjetër e botës, nga stuhitë e fuqishme deri te zjarret masive.
Në Evropën Juglindore, vala e të nxehtit po vazhdon të përshkallëzohet.
Në Greqi dhe Itali, temperaturat pritet të kapin vlerat 43–44°C deri në fundjavë. Për këtë arsye, puna në ambiente të jashtme është ndaluar gjatë orëve më të nxehta të ditës, ndërsa pjesa më e madhe e territorit është në gjendje alarmi për zjarre.
Meteorologët paralajmërojnë se Mesdheu jashtëzakonisht i nxehtë mund të jetë një faktor nxitës për stuhi edhe më të fuqishme në vijim.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), ndryshimet klimatike po shkaktojnë një rritje të ndjeshme të valëve të të nxehtit me pasoja fatale, përmbytjeve dhe zjarreve në natyrë.
Në vitin 2022, vala e të nxehtit shkaktoi mbi 60ç000 vdekje në Europë, dhe ky numër mund të dyfishohet deri në vitin 2050 nëse nuk ndërmerren masa serioze.
OBSh-ja thekson se ndikimet në shëndet nga moti ekstrem janë në masë të madhe të parandalueshme përmes politikave të forta të shëndetit publik dhe përgatitjes së komuniteteve.