Estonia kërcënon se do të bllokojë sanksionet e reja të BE-së ndaj Rusisë për shkak të çmimit të naftës

– Kufiri aktual i BE-së, i vendosur në vitin 2022 kur nafta tregtohej mbi 100 dollarë për fuçi, ndalon anijet me flamur të BE-së të transportojnë naftë bruto ruse të shitur mbi këtë kufi

Ministri i Punëve të Jashtme i Estonisë, Margus Tsahkna ka kërcënuar se vendi i tij do të bllokojë paketën e 18-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Rusisë, nëse blloku evropian nuk bie dakord për të ulur kufirin e çmimit të naftës nga 60 në 45 dollarë për fuçi, transmeton Anadolu.

“Ne kemi një qëndrim shumë të qartë që kufiri i çmimit të naftës duhet të jetë pjesë e kësaj pakete”, tha Tsahkna për transmetuesit estonez ERR duke shtuar se ulja e kufirit do të ishte “elementi më i fuqishëm” në përpjekjen më të fundit të BE-së për të frenuar të ardhurat energjetike të Moskës.

Kufiri aktual i BE-së, i vendosur në vitin 2022 kur nafta tregtohej mbi 100 dollarë për fuçi, ndalon anijet me flamur të BE-së të transportojnë naftë bruto ruse të shitur mbi këtë kufi. Gjithashtu ndalohet që ofruesit e shërbimeve të bazuar në BE të bashkëpunojnë me këto dërgesa.

Nafta aktualisht tregtohet me rreth 69 dollarë për fuçi.

Tsahkna kritikoi përpjekjet e disa shteteve anëtare për të zbutur paketën e propozuar. Sipas portalit informativ estonez “Delfi”, vendet mesdhetare me sektorë të mëdhenj të transportit detar, veçanërisht Malta, kanë nxitur përjashtimin e kufirit të çmimit të naftës nga marrëveshja.

Megjithatë, Estonia këmbëngul se sanksionet duhet të miratohen në përputhje me propozimin fillestar të Komisionit Evropian. “Ne kemi qëndrim shumë të fortë për këtë çështje”, tha Tsahkna, duke shtuar se Tallini shpreson që shtetet më të mëdha të BE-së do ta mbështesin qëndrimin e saj.

Muajin e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi uljen e kufirit si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të reduktuar të ardhurat e Rusisë nga lëndët djegëse fosile, të cilat ndihmojnë në financimin e luftës së saj në Ukrainë.

Derisa kufiri prej 60 dollarësh ka mbetur i pandryshuar për më shumë se një vit, po shtohen shenjat se vendet e G7-tës dhe SHBA-ja tani mund të mbështesin një qasje më agresive.

Kryediplomati estonez përmendi sinjalet e fundit nga SHBA-ja, përfshirë një nismë për sanksione të udhëhequr nga senatorët amerikanë Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal si dëshmi të një momenti në rritje. “Nëse këto masa zbatohen njëkohësisht, ato mund të ushtrojnë presion serioz mbi Rusinë”, tha Tsahkna.

Diskutimet mbi paketën e re të sanksioneve të BE-së ende janë në vazhdim dhe ende nuk janë marrë vendime përfundimtare.

Kategoritë
BotaLajme