“Ekipi i përbërë nga oficerë e nënoficerë do t’i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës”, njofton FSK.
Është nisur sot edhe një ekip shtesë i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për të ndihmuar në operacionet e Kërkim-Shpëtimit të kontingjentit të FSK-së në Zonën e Operacionit në Republikën e Türkiye-s, transmeton Anadolu.
Siç njofton FSK, ky ekip është i përbërë nga oficerë dhe nënoficerë.
“Ekipi i përbërë nga oficerë e nënoficerë do t’i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës që do të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Kontingjenti i FSK-së i cili po kryen operacione të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti u nis për në Türkiye në mbrëmjen e 6 shkurtit me autorizim të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, si Komandante Supreme e FSK-së.
Kontingjenti përbëhet nga specialistë në kërkim- shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.
Ministri i Mbrojtjes, kishte paralajmëruar më 6 shkurt se varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim “do të shtojmë kapacitetet reaguese për reagim, kërkim- shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit”.
Sot po ashtu kontingjentit të FSK-së ju bashkuan edhe gjashtë pjesëtarë të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit nga Kosova dhe së bashku me organizatën AKUT po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar të mundshëm në rrënojat e një ndërtese shumëkatëshe.
Më 8 shkurt, pjesëtarët e FKS-së arritën të nxjerrin një vajzë dyvjeçare dhe nënën e saj.
Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaraş, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë gjithashtu provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.










