Është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim ushtarak mes Turqisë dhe Sirisë

Turqia do t’i dërgojë Sirisë sisteme armatimi dhe mjete logjistike, në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak të nënshkruar të mërkurën, bëri të ditur një burim nga Ministria turke e Mbrojtjes. Ai shtoi se Ankaraja do të trajnojë ushtrinë siriane për përdorimin e kësaj pajisjeje nëse paraqitet nevoja.

Turqia, anëtare e NATO-s, është një nga aleatët kryesorë të huaj të Sirisë që prej rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad vitin e kaluar. Ajo ka premtuar se do të ndihmojë në trajnimin dhe ristrukturimin e forcave të armatosura siriane, rindërtimin e vendit dhe institucioneve të tij, si dhe në mbështetjen e përpjekjeve për ruajtjen e integritetit territorial të Sirisë.

Si hap i parë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për bashkëpunim ushtarak, për të cilën po negociohet prej muajsh, Turqia dhe Siria të mërkurën nënshkruan një memorandum mirëkuptimi pas takimeve mes ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes, si dhe shefave të shërbimeve të inteligjencës.

Sipas burimit nga Ministria turke e Mbrojtjes, memorandumi synon koordinimin, planifikimin e trajnimeve dhe bashkëpunimit ushtarak, ofrimin e shërbimeve këshilluese, shkëmbimin e informacionit dhe përvojave, sigurimin e furnizimit me pajisje ushtarake, sisteme armatimi, materiale logjistike dhe shërbime të lidhura.

Muajin e kaluar, një zyrtar turk i tha Reuters se ushtrisë siriane i nevojitet ristrukturim pas viteve të konfliktit, duke përmendur mangësi në disiplinë, trajnim, organizim dhe modernizim.

Turqia është shprehur e pakënaqur me mungesën e zbatimit të marrëveshjes së marsit mes Damaskut dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët dhe të mbështetura nga SHBA, për integrimin e SDF-së në aparatin shtetëror sirian.

Ankaraja e konsideron SDF-në si organizatë terroriste dhe ka kryer operacione të mëparshme ndërkufitare kundër saj. Turqia pret që qeveria siriane të adresojë shqetësimet e saj të sigurisë, por ka paralajmëruar se mban të drejtën për të nisur ofensivë nëse e sheh të nevojshme.

Kategoritë
BotaLajme