Escobar: Për herë të parë dëgjuam nga Kosova vizionin për Asociacionin

Në takimin e fundit në Bruksel ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq ndodhi ajo që është pritur gjatë. Ekipi menaxhues i emëruar nga Kosova, por i kontrolluar nga Serbia prezantoi draft statutin e Asociacionit. Kryeministri Kurti si kundërpërgjigje prezantoi një  draft-vizion por evitoi fjalën Asociacion. Diplomati amerikan Gabriel Escobar tha se të hënën Kurti për herë të parë e prezantoi vizionin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Escobar tani kërkon që ky proces të kryhet shpejt duke i kaluar edhe filtrat parlamentarë e ligjorë.

Ekipi Menaxhues i përbërë prej katër serbëve që, formalisht, janë emëruar nga Qeveritë e mëparshme të Kosovës, e ka propozuar draft-Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin Kryeministri Albin Kurti e ka refuzuar – siç ka thënë ai – fundamentalisht.

Nga ana tjetër, Kurti publikoi një version të tijin mbi të cilin duhet të ndërtohet statuti i Asociacionit, por vetë nuk ia përmendi emrin.

Ato që shpalosën Kurti dhe serbët i quan serioze.

“Mendoj se është serioz (drafti i Kurtit), por edhe ai i prezantuar nga ekipi menaxhues është po ashtu serioz”

Escobar thotë se drafti i Asociacionit duhet të kalojë nën filtrat parlamentarë dhe ligjorë, ashtu që të mos ketë më kthim mbrapa.

Duke u nisur nga deklaratat e dy palëve pas takimit të 2 majit, dukej se Kosova dhe Serbia, ishin larg njëra-tjetrës në atë se si e duan draftin e Asociacionit. Megjithatë, Escobar e sheh si progres të vogël faktin që palët kanë ofruar propozimet e tyre.

Ekipi Menaxhues është bërë kryetemë e bisedimeve vetëm muajin e fundit. Deri para pak ditësh nuk dihej as përbërja e tij. Escobar thotë se fokusi ishte te bindja e vështirë e Kryeministrit Kurti që ta formojë Asociacionin, prandaj nuk është folur shumë për ekipin.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi