Escobar për dorëheqjen e Vulinit: Ai ka qenë një figurë shumë destabilizuese në rajon

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, ka reaguar pas dorëheqjes së Aleksandar Vulinit nga posti i Drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA).

Ai deklaroi se SHBA-ja nuk vendos për vendimet personale të qeverisë serbe, raporton danas.rs.

“Por, qëndrimi ynë për Vulinin është shumë i qartë, ai ka qenë një figurë shumë destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë dhe ju e dini se sanksionet tona u bazuan në këtë”, tha ai në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës.

Një përgjigje e ngjashme erdhi më herët edhe nga Ambasada amerikane në Beograd.

“Pozicioni ynë për Vulinin dihet mirë. Ai mbetet nën sanksionet amerikane. Mezi presim të vazhdojmë të thellojmë partneritetin tonë me Serbinë në rrugën drejt integrimit të plotë të saj në Evropë dhe në komunitetin euroatlantik”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Beograd.

Në muajin korrik, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Vulinit për përfshirje të dyshuar në krimin transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve, korrupsion dhe zgjerim të ndikimit rus në Ballkan.

Sipas Ligjit për Agjencinë për Siguri dhe Informacion, drejtorin e BIA-s e emëron dhe e shkarkon Qeveria e Serbisë. Meqenëse në Serbi u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 1 nëntor dhe qeveria është në një mandat teknik, pyetja është nëse do të pranohet dorëheqja e Vulinot. Është e sigurt që qeveria teknike nuk mund të emërojë një drejtor të ri.

Kategoritë
BotaLajme