Erdogan me mesazh të ashpër: Stambolli, me ndihmën e Allahut, do të mbetet turk dhe islam deri në Ditën e Gjykimit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, iu drejtua kombit pas mbledhjes së kabinetit në Pallatin Presidencial, ndërsa fjalimi i tij u karakterizua nga një mesazh i fortë dhe emocional mbi identitetin e Stambollit, me rastin e 573-vjetorit të çlirimit të qytetit.

Duke folur për rëndësinë historike të rënies së Kostandinopojës, Erdogan theksoi se ajo nuk ishte vetëm një pushtim ushtarak i qytetit, por edhe “pushtim i zemrave dhe shpirtrave”, i cili nën udhëheqjen e Mehmed II e shndërroi një qytet të rrënuar në një metropol madhështor turko-islam.

Ai u ndal veçanërisht te rikthimi i statusit të xhamisë për Hagia Sophia, duke theksuar se pas 86 vitesh trishtimi “u thyen zinxhirët në dyert e saj”.

Megjithatë, mesazhi më i ashpër iu drejtua atyre që, sipas tij, përpiqen të vënë në dyshim karakterin turk dhe islam të qytetit.

“Ata që ndotin muret e Stambollit me mbishkrime si ‘shtypja filloi në vitin 1453’ janë mbetje të Bizantit. Ata ende e kanë të vështirë ta pranojnë këtë, por Stambolli është turk, është mysliman dhe, me ndihmën e Allahut, do të mbetet turk dhe mysliman deri në Ditën e Gjykimit”, deklaroi Erdogan, duke iu referuar qartë mesazheve që, sipas tij, vijnë nga Greqia.

Lideri turk shtoi se ky qytet nuk do t’u lihet kurrë në dorë “atyre që nuk e njohin historinë dhe nuk kanë kompetencë”, si dhe premtoi se do të vazhdojë realizimi i projekteve gjigante të denja për Stambollin.

“Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë dhe ta forcojmë Stambollin me projekte të mëdha, në përputhje me madhështinë dhe historinë e tij”, tha Erdogan.

Kategoritë
BotaLajme