Erdogan me deklaratën e tij tronditi Lindjen e Mesme: Kur nxirret shpata nga milli, nuk ka më vend për pendë e fjalë

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan shënoi 954-vjetorin e Betejës së Malazgirtit me një mesazh uniteti, rezistence dhe vizionin e “Shekullit të Turqisë”, duke theksuar se turqit, arabët dhe kurdët do të mbeten të lidhur në të njëjtën gjeografi, ndërsa Turqia do të vazhdojë të jetë mbështetje për të shtypurit në gjithë rajonin.

Në fjalimin e tij në Parkun Kombëtar Malazgirt, Erdoğan kujtoi rëndësinë historike të fitores së Seldçukëve nën udhëheqjen e sulltanit Alp Arslan ndaj Perandorisë Bizantine në vitin 1071, e cila hapi dyert e Anadollit për vendosjen turke dhe myslimane.

“Fitorja e Malazgirtit nuk ishte vetëm një fitore ushtarake. Ajo ishte fillimi i një epoke të re ku populli turk solli në Anadoll një civilizim të bazuar në drejtësi, tolerancë dhe mëshirë. Sot detyra jonë më e madhe është ta ruajmë shpirtin e Malazgirtit dhe ta përcjellim këtë trashëgimi tek gjeneratat e ardhshme,” – tha presidenti turk.

Erdoğan theksoi se Turqia nuk do të përkulet para asnjë fuqie kur është fjala për mbijetesën e saj dhe se është bërë shpresë për të shtypurit në mbarë botën, duke përmendur shembullin e Palestinës.

“Ne kemi një shtet që mbron çështjen palestineze në çdo platformë. Vetëm në muajt e fundit kemi dërguar mbi 102 tonë ndihma humanitare në Gaza dhe kemi zhvilluar diplomaci aktive përmes letrave, telefonatave dhe forumeve ndërkombëtare,” shtoi ai.

Duke folur për sigurinë e brendshme, Erdoğan deklaroi se Turqia është afër të eliminojë plotësisht kërcënimin terrorist:

“Pavarësisht të gjitha sabotimeve të atyre që ushqehen me gjak dhe përplasje, jemi më afër se kurrë një Turqie pa terrorizëm.”

Presidenti turk theksoi se vendi i tij mbetet strehë për popujt e shtypur – nga Iraku e Siria, tek Ballkani e Kaukazi – duke nënvizuar posaçërisht edhe pozitën e kurdëve.

“Garancia e sigurisë dhe mirëqenies së kurdëve, si dhe të gjithë vëllezërve tanë në Siri, është Turqia. Ata që i kthehen Ankarasë dhe Damaskut, ata do të fitojnë. Por nëse nxirret shpata nga milli, nuk ka më vend për pendë dhe fjalë,” paralajmëroi lideri turk.

Në pjesën më të spikatur të fjalimit, Erdoğan bëri thirrje për një vëllazëri të përhershme të popujve të rajonit:

“Askush të mos harrojë se ne, turqit, arabët dhe kurdët, do të jetojmë përgjithmonë krah për krah në këtë gjeografi. Ne do të jemi ende këtu edhe pasi të zhduken ata që ushqehen me gjakun e myslimanëve. Ne, nipërit e sulltanit Alp Arslan dhe Salahuddinit Ejjubi, së bashku do të ndërtojmë një Turqi të madhe e të fuqishme, një Turqi pa terror, dhe në fund një rajon të çliruar nga terrorizmi.”

Përkujtesa e përvjetorit të Malazgirtit, të cilën Erdoğan e ka ngritur në nivel të një ceremonie shtetërore, u shfrytëzua edhe një herë si platformë politike. Duke lidhur të kaluarën e lavdishme me sfidat e sotme – nga lufta kundër terrorizmit deri te solidariteti me Palestinën – presidenti turk synon të forcojë unitetin kombëtar dhe të konfirmojë rolin e Turqisë si udhëheqëse e botës myslimane.

Vizoni i “Shekullit të Turqisë”, siç e theksoi ai, nënkupton një shtet të fuqishëm, pavarësi ekonomike dhe vazhdimësi shpirtërore me trashëgiminë historike të lavdishme.

“Ne do të jemi këtu përgjithmonë. Ne si turq, arabë dhe kurdë do të vazhdojmë të jetojmë krah për krah dhe së bashku do ta formësojmë Turqinë e madhe dhe të fuqishme të së nesërmes,” përfundoi Erdoğan në Malazgirt.

 

Kategoritë
BotaLajme