Erdoğan homologut sirian: Sulmet e Izraelit ndaj Sirisë janë të papranueshme

Presidentët turk Erdoğan dhe ai sirian al-Sharaa biseduan në telefon, duke diskutuar zhvillimet e fundit në Siri pas sulmeve të Izraelit.

Presidenti turk dhe ai sirian kanë biseduar sot në telefon dhe kanë diskutuar zhvillimet e fundit në Siri pas sulmeve të Izraelit, transmeton Anadolu.

Sipas Drejtorisë turke të Komunikimeve, presidenti Recep Tayyip Erdoğan i ka thënë homologut të tij sirian, Ahmad al-Sharaa, se sulmet e Izraelit ndaj Sirisë janë “të papranueshme”, duke shtuar se “Agresioni i Izraelit përbën kërcënim për gjithë rajonin”.

Duke theksuar se Ankaraja mirëpret armëpushimin e arritur me druzët në Siri, Erdoğan ka thënë se Turqia do të vazhdojë të mbështesë popullin sirian siç ka bërë deri më tani.

Al-Sharaa, nga ana e tij, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj presidentit turk për mbështetjen e Ankarasë në ruajtjen e unitetit politik të Sirisë, sigurimin e integritetit territorial dhe mbështetjen e sovranitetit të saj, thuhet në deklaratë.

– Përleshjet në Suwayda dhe sulmet izraelite

Më 13 korrik, shpërthyen përleshje në shkallë të vogël midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në provincën jugore siriane Suwayda.

Dhjetëra ushtarë u vranë në sulmet e grupeve druze ndaj forcave siriane të sigurisë të vendosura në zonë.

Pasi përleshjet midis forcave të sigurisë dhe grupeve të armatosura lokale druze u përshkallëzuan, u arrit një armëpushim midis palëve.

Armëpushimi u prish shpejt dhe ushtria izraelite kreu sulme që shënjestruan forcat siriane të sigurisë.

Më 16 korrik, forcat ajrore izraelite goditën kompleksin presidencial të Sirisë, selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Në të njëjtën ditë, u rivendos një armëpushim midis qeverisë dhe grupeve lokale në Suwayda, ndërsa avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ndaj Damaskut dhe Daraas.

Që kur forcat e sigurisë janë tërhequr nga Suwayda, vlerësohet se qindra njerëz kanë humbur jetën nga përleshjet dhe sulmet izraelite.

Kategoritë
BotaLajme