Elon Musk i kërkon papritur falje Trumpit: “Më vjen keq për disa nga postimet e mia, e teprova”

Miliarderi Elon Musk ka pranuar se ka ekzagjeruar me kritikat e tij ndaj presidentit amerikan Donald Trump. Në një postim në platformën X, ai shkroi:

“Më vjen keq për disa nga postimet e mia për presidentin Donald Trump javën e kaluar. Shkova shumë larg.”

Kjo deklaratë vjen pas një përplasjeje të ashpër publike mes dy prej njerëzve më me ndikim në SHBA. Gjithçka filloi kur Musk kritikoi hapur projektligjin e Trumpit të quajtur “One Big Beautiful Bill”, me vlerë 2.4 trilionë dollarë, duke e quajtur “një turp i neveritshëm, i mbushur me kompromise politike”.

Trump nuk ia la borxh. Ai akuzoi Muskun për sabotim të përpjekjeve të tij politike, sepse në ligj ishte hequr subvencioni për automjetet elektrike, dhe kërcënoi me ndërprerjen e të gjitha kontratave dhe subvencioneve shtetërore që aktualisht kanë kompanitë e Muskut.

Situata u përkeqësua më tej kur Musk, në një postim, aludoi në një lidhje të mundshme mes Trumpit dhe pedofilit Jeffrey Epstein – një koment që shkaktoi reagime të shumta në media dhe rrjete sociale.

Pas disa ditësh të tensionuara, Musk vendosi të tërhiqet. Ai fshiu postimet më kontroverse, përfshirë ato për Trumpin, Epsteinin dhe thirrjet për shkarkimin e ish-presidentit. Më pas, publikoi postimin e tij të pendesës.

Interesant është fakti se edhe Trump, në njëfarë mënyre, u tërhoq, duke deklaruar se “i dëshiron Muskut gjithë të mirat”, çka nga shumëkush u interpretua si përpjekje për qetësimin e situatës – të paktën përkohësisht.

Kjo përplasje nuk pati ndikim vetëm në rrjetet sociale, por edhe në tregun financiar – aksionet e Tesla-s dhe kompanive të tjera të Muskut shënuan rënie, ndërsa disa donatorë republikanë paralajmëruan largimin nga Musk. Pikërisht kjo mund të jetë arsyeja kryesore për “armëpushimin”.

Megjithatë, deklarata e fundit e Muskut mund të shënojë fundin e kësaj përplasjeje të shkurtër, por të ashpër, mes një gjiganti të teknologjisë dhe presidentit amerikan, ndikimi i të cilit mbetet i fortë.

Kategoritë
BotaLajme