Një grup izraelitësh ekstremistë kaloi ilegalisht të hënën në jug të Sirisë për të mbajtur një “ceremoni vendosjeje të gurit themeltar” për vendbanimin e ri të parë me emrin “Neveh Habashan”, bëri të ditur lëvizja Uri Tzafon.
Grupi, i përbërë nga familje dhe të rinj të rritur, është pjesë e një organizate ekstremiste që e quan veten “Pionierët e Bashanit”, tha lëvizja.
Pas marrjes së një njoftimi për disa automjete izraelite që kishin kaluar në Siri, IDF e ndaloi grupin dhe e ktheu në Izrael për marrje në pyetje, tha ushtria për Walla.
Familja e rreshterit Yehudah Dror Yahalom, i cili shërbeu në njësinë zbulimore Golani dhe ra dëshmor në Libanin jugor në tetor 2024, gjithashtu mori pjesë në ngjarje. Familja mbolli lule dhe vendosi një kënd përkujtimor në vendbanim për Yahalomin.
Në grupin WhatsApp “Pionierët e Bashanit”, aktivistët pretenduan se vendbanimi i sapoemëruar Neveh Habashan ndodhet pranë Har Chozekut, diagonalisht përtej kufirit nga Alonei Habashan, “brenda asaj që dikur ishte ‘zona tampon'”.
Ekstremistët sqaruan gjithashtu se ngjarja u zhvillua pa mbështetje ushtarake ose qeveritare, duke shpjeguar se shpresojnë që kjo nismë të ndihmojë në mbledhjen e mbështetjes për vendbanime të ardhshme në rajon.
“Basani është toka e paraardhësve tanë. Ne shohim hapësira të zbrazëta të tokës sonë që na thërrasin të kthehemi dhe ta banojmë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite të largojë armikun nga të gjitha zonat e Bashanit dhe t’u lejojë pionierëve të vendosen atje!”, u shprehën ata.