Shpërngulja e palestinezëve nga Rripi i Gazës është “vijë e kuqe” dhe Kajroja nuk do të lejojë asnjë palë të rrezikojë sigurinë kombëtare ose sovranitetin e Egjiptit, deklaroi ministri egjiptian i Punëve të Jashtme, Badr Abdelatty.
Në një intervistë ekskluzive për CNN në qytetin verior egjiptian Al-Arish, pranë kufirit me Gazën, Abdelatty tha se Egjipti po punon përmes “kanaleve të ndryshme, me një qëllim të vetëm: lehtësimin e barrës dhe vuajtjeve të palestinezëve”, duke shtuar se vendi i tij nuk do të tolerojë emigrimin masiv të palestinezëve nga Gaza.
“Nuk do ta pranojmë, nuk do të marrim pjesë në të dhe nuk do të lejojmë të ndodhë,” tha Abdelatty për CNN, duke theksuar se shpërngulja do të ishte “biletë njëdrejtimëshe” për palestinezët nga Gaza, që do të çonte në “likuidimin e plotë të kauzës së tyre”.
Qeveria izraelite kurrë nuk ka dhënë një vizion të detajuar se çfarë do të ndodhë me Gazën pas luftës, por kryeministri Benjamin Netanyahu është shprehur disa herë në favor të zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza në vende të tjera, veçanërisht pasi presidenti amerikan Donald Trump në fillim të këtij viti hodhi idenë. Edhe pse më pas Trump duket se u tërhoq nga propozimi, zyrtarët izraelitë e pranuan atë.
Egjipti është e vetmja dalje e Gazës në botën e jashtme pasi Izraeli ka bllokuar territorin nga toka, deti dhe ajri. Kajro ndodhet nën presion të fortë publik për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve dhe disa herë ka akuzuar Izraelin për bllokimin e ndihmave, ndërsa mijëra kamionë kanë mbetur të bllokuar në kufirin e tij.
I pyetur nëse lufta rrezikon marrëveshjen e paqes mes Egjiptit dhe Izraelit, Abdelatty tha se Kajro “respekton detyrimet e saj sipas marrëveshjes së paqes”, por shtoi se “çdo shpërngulje do të ishte një rrezik i madh dhe nuk do të lejojmë asnjë palë të rrezikojë sigurinë tonë kombëtare dhe sovranitetin tonë… në kufirin tonë”.
Paralajmërimet e ministrit janë ndër më të ashprat që kur Izraeli javën e kaluar deklaroi se është në negociata me disa shtete për pranimin e palestinezëve të zhvendosur nga lufta.
“Nëse izraelitët ia dalin t’i shpërngulin, ju siguroj se kjo do të jetë fundi i kauzës palestineze,” tha ministri i Punëve të Jashtme.
Egjipti ishte kombi i parë arab që e njohu Izraelin në vitin 1979.