Edhe FSK-ja në kërkim të trupit të 33 vjeçarit në Ujman

Kërkimet për trupin e pajetë të mërgimtarit 33-vjeçar, i cili dyshohet se është hedhur nga ura në Liqenin e Ujmanit, kanë hyrë në ditën e tretë.

Në vendngjarje kanë qenë të angazhuara njësite të Policisë së Kosovës, ekipet e kërkim-shpëtimit si dhe zhytës profesionistë, të cilët po punojnë pa ndërprerë për lokalizimin e trupit, por deri tani, përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.
Me trupat e KFOR-it drejt liqenit të Ujmanit janë parë edhe trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për të ndihmuar në intensifikimin e kërkimeve.

Kurse nga Shoqata e Kërkim-Shpëtimit thanë se po shpresojnë që me ndihmën e Forcës së Sigurisë, ta gjejnë trupin e të riut.

“Ne tani do të nisemi për në Ujman, ku do të vazhdojmë kërkimet. Pritet të na bashkohet edhe FSK-ja. Ende nuk kemi gjurmë. Ditën e djeshme i kemi ndërprerë pak kërkimet, shkaku që s’kemi pasur boca të mbushura të oksigjenit. Gjatë pasdites kemi arritur t’i mbushim vetëm dy”, thanë nga kjo shoqatë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi