Gazetarja nga Gaza, Mariam Abu Dagga, e cila u vra të hënën në një sulm ajror izraelit mbi Kompleksin Mjekësor Nasser, kishte shkruar një testament prekës për djalin e saj, në rast se edhe ajo do të humbte jetën.
Abu Dagga, 33 vjeç, ishte gazetare vizuale dhe punonte si korrespondente e pavarur për Associated Press (AP) që nga fillimi i luftës.
Para vrasjes, ajo kishte lënë një letër për djalin e saj, Ghaith, të mbushur me fjalë dashurie, besimi dhe shprese për të ardhmen e tij:
“Ghaith, ti je zemra dhe shpirti i nënës tënde. Dua të lutesh për mua, jo të qash për mua, që unë të mund të mbetem e lumtur. Dua të mbash kokën lart, të punosh fort, të dallohesh dhe të jesh i aftë. Dua të bëhesh i suksesshëm, i dashuri im”, shkruante ajo.
Ajo e nxiti që ta kujtonte gjithmonë, duke i shkruar:“Ndonjëherë bëja gjithçka vetëm për të të lumturuar, për të të bërë të ndiheshe i gëzuar dhe i rehatshëm, dhe për të të siguruar gjithçka. E kur të rritesh, të martohesh dhe të kesh një vajzë, ktheje me emrin Mariam – sipas meje.”
Letra e saj mbyllej me lutjen e fundit të një nëne:“Ti je dashuria ime, zemra ime, mbështetja ime, shpirti im dhe djali im për të cilin jam krenare. Do të jem gjithmonë e lumtur të dëgjoj zërin tënd të mirë. Po ta lë amanet, Ghaith: lutjen tënde, lutjen tënde, lutjen tënde, i dashuri im.”
Në Gaza, shumë njerëz tani shkruajnë testamentet e tyre paraprakisht, jo nga pleqëria apo sëmundja, por nga frika se nuk do të mbijetojnë ditën tjetër. Prindërit lënë letra lamtumire për fëmijët, në disa raste edhe fëmijët shkruajnë mesazhe për miqtë, ndërsa familjet lënë mesazhe për botën – në rast se një sulm ajror izraelit ua merr jetën pa paralajmërim.
Abu Dagga u vra në një sulm të dyfishtë izraelit të qëllimshëm mbi spitalin, ku mbetën të vrarë 20 persona, mes tyre pesë gazetarë.
Pavarësisht dëshirës së saj, kolegët e Mariam Abu Daggës nuk mundën të mos qanin mbi trupin e saj të hënën. Ajo u vra së bashku me katër gazetarë të tjerë, ndërsa nxitoi të kontrollonte një koleg të plagosur në spitalin al-Nasser, ku shpesh raportonte gjatë luftës në Gaza.
Tridhjetë e tre vjeçarja ishte figurë frymëzuese për kolegët, të cilët e admironin për raportimet e saj të palodhura, pavarësisht humbjeve të rënda personale që pësoi gjatë luftës.
Karriera e saj nisi me një tragjedi: në vitin 2018 ajo fotografoi vrasjen e një protestuesi gjatë Marshit të Madh të Kthimit në Gaza – më vonë ajo zbuloi se protestuesi i vrarë ishte vëllai i saj.
Ajo vazhdoi të raportonte gjatë 22 muajve të fundit të luftës, si freelancere për AP dhe Independent Arabia. Fotografitë e saj shquheshin për theksimin e humanitetit dhe vuajtjes së civilëve.
Një nga imazhet më të njohura ishte fotografia e Jamal al-Najjar, 5 vjeç, i cili vdiq nga kequshqyerja – trupi i tij i vogël i mbështjellë me qefin, i vendosur mbi tulla që të mos prekte tokën. Një tjetër imazh tregonte dhjetëra burra duke u shtyrë për pak ndihma ushqimore në Gaza.
Kolegët e përshkruan si të dashur, të butë dhe të përkushtuar.“Mariam ishte e sjellshme, e ndjeshme dhe thellësisht e pasionuar për punën e saj. Humbja e nënës dhe e kolegut të saj më të afërt, Abu Anas, nuk e ndaloi asnjë ditë nga raportimi për luftën,” tha kolegu i saj Farhan.
Ajo njihej gjithashtu për guximin e saj, duke raportuar nga zonat më të rrezikshme të Gazës.