E konfirmon Qeveria: Kurti takohet sonte në Prishtinë me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sonte në mbrëmje në Prishtinë me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Takimi do të zhvillohet në një darkë pune të organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Lajmin e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili bëri të ditur se takimi vjen në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerin kryesor ndërkombëtar të Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kryeministri Kurti do të takojë sot në mbrëmje zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, në një darkë pune të shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Prattipati”, ka thënë Kryeziu për Reporteri.net.

Diplomati amerikan ditë më parë ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, ku përveç Kosovës, ai kishte paralajmëruar vizitë në Bosnjë dhe Herecegovinë dhe Serbi.

“Po shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë pas bisedave produktive në Dejton dhe Uashington. Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon.”, ka shkruar ai në platformën X më 9 korrik.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi