Duda Balje reagon lidhur me audio-incizimin: E quan montazh me inteligjencë artificiale

Për publikimin të një audio-incizimi që ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, Duda Balje ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke mohuar kategorikisht përmbajtjen e materialit dhe duke e cilësuar atë si montazh të fabrikuar me inteligjencë artificiale, përcjell Gazeta e Re

Balje ka deklaruar se videoja dhe audioja, të cilat sipas saj po shpërndahen nga anëtarë të koalicionit Vakat, janë pjesë e një fushate keqdashëse në kuadër të zgjedhjeve, duke shtuar se termi “Torbeš” nuk është pjesë e fjalorit të saj dhe se nuk mund të lidhet me ndonjë komunitet apo rajon të caktuar.

Ajo ka theksuar se përmbajtja e publikuar përpiqet ta paraqesë atë si një person që nxit urrejtje, gjë që, sipas saj, bie ndesh me jetën dhe veprimtarinë e saj personale dhe familjare. Balje ka përmendur edhe faktin se një anëtare e afërt e familjes së saj vjen nga rajoni i Zhupës, duke e cilësuar këtë si dëshmi të absurditetit të akuzave.

Sa i përket përfshirjes së komunitetit turk në këtë çështje, Balje ka shprehur habi për kohën e publikimit të montazhit, duke e ndërlidhur atë me zhvillimet e fundit politike dhe falënderimin e saj publik ndaj një anëtari turk të KQZ-së./ Gazeta e Re

Postimi i plotë

Pas përfundimit të të gjitha procedurave në institucionet përkatëse lidhur me videon që anëtarët e koalicionit Vakat po ua dërgojnë qytetarëve që nga mbrëmë, dua t’ju them sa vijon. E kuptoj që jemi në fushatë dhe se kjo është fytyra e shëmtuar e saj. Megjithatë, mbeten disa fakte ndaj të cilave nuk keni treguar vëmendje gjatë tekstit të montazhit tuaj, e që flasin qartë për keqdashjen dhe pavërtetësinë me të cilat jeni shërbyer. Termin “Torbeš” personalisht nuk e përdor kurrë, dhe ky term nuk mund të lidhet ekskluzivisht me njerëz të caktuar apo me ndonjë rajon gjeografik të veçantë. Përmbajtja që keni montuar me ndihmën e inteligjencës artificiale përbën një përpjekje të lirë dhe amatore për të më paraqitur si diçka që unë nuk jam.

Po të isha personi që ju rrejshëm përpiqeni të më paraqisni, do të isha dikush që sulmon më të afërmit e vet, shtëpinë dhe familjen e vet – gjë që askush nuk e bën. Nëse keni tentuar ta lidhni termin “Torbeš” me Zhupën, ju rikujtoj se unë personalisht kam një anëtare shumë të afërt të familjes, nusen e djalit, pikërisht nga ajo zonë, gjë që dëshmon edhe më shumë absurditetin dhe qëllimin keqdashës të pretendimeve tuaja. Po aq e çuditshme është edhe fakti që këtë montazh e keni publikuar pikërisht tani, në një moment kur lista juaj është më e vogël për një kandidat, si dhe fakti që në montazh keni përfshirë edhe komunitetin turk, menjëherë pasi në ditët e fundit kam falënderuar publikisht anëtarin turk të KQZ-së për drejtësinë e treguar në mbledhje.

Po ashtu, nëse do të kisha dashur të isha profesoreshë në Maqedoni, këtë do ta kisha bërë prej kohësh – edhe ky është një qëllim i trilluar nga ju, e jo dëshira ime. Ju premtoj se me këto veprime të ndyra dhe tinëzare nuk do të fitoni asgjë. Këtë e premtoj sepse e di që njerëzit e dinë kush jam unë, e dinë sa kam punuar për popullin tim dhe se nuk do të ndalem kurrë së bëri këtë. Po ashtu ju premtoj se nuk do të ndalem derisa të identifikohet personi që ka montuar dhe publikuar gjithë këtë material dhe derisa ai të mbajë përgjegjësi për çdo veprim të tij, në përputhje me ligjin.

Disa indicie tashmë ekzistojnë, por do t’ua lëmë organeve kompetente ta trajtojnë rastin ashtu siç duhet. Pafytyrësisë suaj nuk i shihet fundi – energjisë sime edhe më pak. Më vjen keq që unë kam qenë e detyruar ta dëgjoj këtë, ashtu siç edhe ju keni qenë të ekspozuar ndaj këtyre gënjeshtrave.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi