Dodik: Do të kërkoj nga Rusia të vërë veton për zgjatjen e mandatit të EUFOR-it, duhet të çlirohemi prej tyre

Ish-presidenti i Republikës Srpska, të cilit i është hequr mandati pasi është dënuar me vendim të formës së prerë, ka paralajmëruar se së shpejti do të shkojë në Moskë, ku nga përfaqësuesit e Rusisë do të kërkojë që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të vendosin veto për zgjatjen e misionit “Althea” të EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë.

Dodik konsideron se Bosnja e Hercegovina është “nën okupim”.

“Keni një administratë civile lokale nga një i huaj që quhet Schmidt dhe pjesën e armatosur të atij okupimi që quhet Althea. Ne duam t’i largojmë të dyja. E që t’i largojmë – duhet të jemi shtet i veçantë”, tha Dodik.

I pyetur se çfarë do t’u përcjellë bashkëbiseduesve në Rusi, Dodik u shpreh se me gjasë do të kërkojë që të hiqet pëlqimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe të vendoset veto për praninë e forcave ndërkombëtare evropiane në Bosnje e Hercegovinë.

“Ato më së shpeshti janë përdorur si kërcënim për ne serbët dhe si pjesë e asaj pushteti okupues ndërkombëtar. Që të çlirohemi nga gjithë ajo, duhet të kërkojmë të tërhiqen ato forca okupatore dhe të largohen të huajt nga vendimmarrja. Kjo nuk është e mundur në nivel të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe për këtë arsye Republika Srpska duhet të shpallet e pavarur dhe të ketë sistemin e vet të funksionimit, jashtë Sarajevës dhe jashtë të huajve. Dhe tani shihet qartë se jo vetëm që do të vijë deri te ngrohja e raporteve, por edhe te marrëveshja mes presidentit Putin dhe presidentit Trump. I shohim evropianët si po qahen duke pritur në radhë. Dy vite më parë kur isha mysafir në akademinë diplomatike në Vjenë më pyetën pse takohem me presidentin (Putinin). U thashë se kur kjo të përfundojë, me gjasë kur ju të qëndroni në radhë para Putinit, unë nuk do të mund të kaloj prej jush sa shumë që do të jeni atje. Kjo tashmë po ndodh”, tha ai në një intervistë për Sputnik-un rus.

Dodik, qartësisht, në rrugën e tij të çmendur politike e sheh EUFOR-in si kërcënim, gjë që edhe e pranon në një pjesë të bisedës. Duke folur për referendumin për pavarësinë e RS-së, Dodik pranon se është e nevojshme të hiqet EUFOR-i.

“Marrëdhënie të tjera janë. Së pari duhet të çlirohemi nga Althea që është formacion i armatosur i okupimit në Bosnje e Hercegovinë. Dhe këtë do ta bëjmë, këtë do t’u kërkojmë miqve tanë rusë të na ndihmojnë.”

Ai foli edhe për referendumet që planifikon, duke theksuar edhe atë për pavarësi.

“Por tani po shkojmë drejt këtij referendumi të parë, që është referendum i detyrueshëm për të gjitha institucionet… Pas kësaj kemi një muaj kohë të miratojmë dokumentet operative, e njëri prej tyre që menjëherë do të shkojë në kuvend është rezoluta për të drejtën e popujve për vetëvendosje që shkruhet në Kushtetutën e BiH. Në Kushtetutën e BiH thuhet se popujt – dhe BiH është konceptuar si një bashkësi e popujve konstituivë – kanë të drejtë në vetëvendosje. Kur ta miratojmë atë rezolutë, do të krijohen kushtet për mbajtjen e referendumit përfundimtar për pavarësi. Dhe unë mendoj se ky është një proces i pandalshëm.”

Mandati i EUFOR-it zgjatet çdo vit në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të vitit.

Kategoritë
LajmeRajoni