Disa ditë pas njoftimit për njohjen e Palestinës, Franca goditet nga rrjedhja më e madhe e sekretit ushtarak

Kompania franceze e mbrojtjes Naval Group, një nga prodhuesit më të rëndësishëm të anijeve lufte dhe nëndetëseve në botë, është objekt i një sulmi të fuqishëm hakerësh që mund të përbëjë rrjedhjen më të madhe të të dhënave ushtarake të ndjeshme në historinë e Francës.

Sulmin e kreu një grup i panjohur hakerësh, i udhëhequr nga një individ me pseudonimin “Neferpitou”, i cili në një forum online ka publikuar tashmë 30 gigabajtë të dhëna, duke pretenduar se zotëron në total 1 terabajt informacion të vjedhur nga kompania.

Midis të dhënave të komprometuara, sipas tyre gjenden: kodet burimore të sistemeve luftarake, softueri për armatimin e nëndetëseve bërthamore, dokumentet lidhur me avionin luftarak Rafale-M, korrespondenca interne me email, udhëzime përdorimi, të dhëna rrjeti dhe mjediset dhe modelet e simulimit.

Naval Group konfirmoi të shtunën në mbrëmje se ishte objekt i një “sulmi ndaj reputacionit” në kontekstin e tensioneve ndërkombëtare, tregtare dhe informative, por theksoi se nuk është vërejtur asnjë hyrje e paautorizuar në sistemet e tyre informative, as nuk është kërkuar ndonjë shpërblim.

“Të gjitha ekipet dhe burimet tona janë mobilizuar për të verifikuar sa më shpejt autenticitetin, origjinën dhe pronësinë e të dhënave të publikuara,” thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë. Naval Group njoftoi se hetimet janë nisur, se po punon në bashkëpunim me institucionet shtetërore franceze, dhe se autoritetet përkatëse gjyqësore janë informuar për incidentin, për shkak të seriozitetit të pretendimeve dhe nevojës për të mbrojtur klientët.

Edhe pse ndikimi i sulmit është ende subjekt i analizës, pasojat e mundshme janë shqetësuese. Naval Group nuk prodhon vetëm anije për Marinën Franceze, por edhe për shumë klientë të huaj në mbarë botën, përfshirë Australinë, Indinë, Brazilin dhe Egjiptin, ku po zbaton projekte me vlera miliarda dollarë. Kompania është në pronësi kryesisht të shtetit francez, ndërsa Thales Group zotëron 35% të aksioneve, dhe ndër kompanitë që mund të jenë prekur në mënyrë indirekte përmenden gjithashtu Dassault dhe Safran.

Është interesante se ky sulm hakerash ndodhi vetëm disa ditë pasi presidenti francez Emmanuel Macron shprehu sërish mbështetjen për njohjen e shtetit palestinez, një kontekst që disa analistë nuk e përjashtojnë si të mundshëm për motivet pas incidentit.

Ministria franceze e Mbrojtjes nuk ka komentuar për këtë rast.

Kategoritë
BotaLajme