Kanë diplomuar 433 kadetë policorë në gjeneratën e 57 të Policisë së Kosovës, në mesin e të cilëve 17 serbë, 5 boshnjakë, 1 turk dhe 1 rom, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vlerat e Policisë së Kosovës janë integriteti, profesionalizimi, respekti dhe paanshmëria.
Ajo tha se këtë profesionalizëm Policia e Kosovës e ka dëshmuar në vazhdimësi dhe se nëpërmjet sundimit të ligjit, pjesëtarët e Policisë do të ofrojnë siguri publike.
“Ne sot festojmë suksesin tuaj teksa ju betoheni si pjesëtarët të rinj të Policisë së Kosovës. Dua të ju shpreh mirëseardhje në shërbim dhe mbrojtje të të gjithë qytetarëve të Kosovës në çdo cep të saj pa asnjë dallim”.
“Faleminderit për vendimin për t’i shërbyer shtetit e suksese në rrugëtimin tuaj fisnik. Policia buron nga qytetarët dhe gjithnjë është në shërbim të qytetarëve.
“Ju keni zgjedhur një mision që kërkon disiplinë, rend dhe ligj. Vlerat e juaja janë integriteti, profesionalizimi, respekti dhe paanshmëria. Si oficer policor ju duhet të veproni gjithnjë në përputhje me këto vlera, të ju shërbeni të gjithë qytetarëve pavarësisht nga përkatësia, bindjet”, tha Osmani.
Presidentja e porositi gjeneratën e re që të jenë model të cilët përkujdesen që ta zbatojnë ligjin, ta luftojnë krimin, ta ruajnë rendin dhe të shërbejnë si pjesëtarë të sigurisë publike.
Ajo ka shtuar se mbrojtja e kufijve duhet të jetë obligim i përhershëm, duke theksuar se të njëjtit kanë dhënë maksimumin edhe në veri.











