Dilema nëse Radojiçiq e terroristët tjerë mund të gjykohen në mungesë pa përfshirjen e veprës penale vrasje e rëndë

Dilema të mëdha janë shfaqur për sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë. Njohës të fushës së drejtësisë, kanë mendime të ndryshme nëse terroristët në krye me Milan Radojiçiqin mund të gjykohen në mungesë nëse nuk është e përfshirë edhe vepra penale vrasje e rëndë, raporton Ekonomia Online.

Siç mëson Ekonomia Online, sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, Prokuroria Speciale po e trajton si sulm terrorist dhe vepra penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, por jo edhe për vrasje të rëndë. Për këtë çështje, EO ka pyetur këtë institucion të ndjekjes por që nuk ka marrë përgjigje.

Avokati Ardian Bajraktari, thotë për Ekonomia Online se PSRK-ja duhet të bëjë rikualifikim dhe përfshirje edhe të veprës penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, ngase përmbushen kushtet që të mundësohet gjykimi në mungesë.

“Në lidhje me rastin tragjik të 24 shtatorit të vitit 2023 apo siç njihet ndryshe Rasti ‘Banjska’ Radojiçiq dhe të tjerët mbi bazën e asaj që është thënë nga ana e Prokurorisë Speciale akuzohen për kryerjen e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe veprat penale që ndërlidhen me terrorizmin. Në lidhje me çështjen e zhvillimit të gjykimit në mungesë në referencën e nenit 303 të Kodit të Procedurës Penale pa sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë këto vepra është e pamjaftueshme, andaj vlerësoj që PSRK do duhej rishikimin e këtyre veprave me qëllim të përfshirjes edhe të veprës penale të vrasjes së rëndë për faktin se në rastin tragjik ka ndodh humbja e jetës së një efektivi të policisë tashmë rreshteri Afrim Bunjaku i cili ka rënë në krye të detyrës zyrtare dhe në rrjedhë të kësaj sipas nenin 173 paragrafi 1.9 të kodit penal të Kosovës, njëra prej rrethanave ku mund të konsiderohet se kemi rastin e vrasjes së rëndë atëherë është edhe momenti ose rrethana kur personi bie në kryerje të detyrës zyrtare dhe në rrjedhë të kësaj do duhej me u përfshi edhe kjo vepër penale me qëllim të zhvillimit përkatësisht mundësimit të gjykimit në mungesë që nga starti i procedurës penale”, u shpreh Bajraktari, teksa thotë se pa përfshirjen edhe të veprën penale për vrasje të rëndë nuk mund të gjykohen në mungesë.

“Përveç rishikimit, nëse eventualisht nuk është përfshirë vepra penale e vrasjes së rëndë përfshirjen edhe të veprës penale të vrasjes penale në kuadër të veprave penale për të cilat akuzohen terroristët, pastaj natyrisht që të angazhohet një lloj përpjekje maksimale për sigurimin e prezencës të të pandehurit për çka duhet bind gjykatën që edhe përkundër këtyre përpjekjeve nuk ka qenë e mundur sigurimi i prezencës së të pandehurit në procedurë dhe në rrjedhë të kësaj gjykata mbi bazën e provave dhe argumenteve që do të ofrohen nga ana e prokurorisë  që janë bërë përpjekje të arsyeshme në kuptim të nenit 303 të kodit të procedurës penale në mënyrë që pastaj të zhvillohet gjykimi në mungesë mbi të gjitha stadet e procedurës penale këto parametra besoj që do duhej t’i ndërmerrni përkatësisht Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mënyrë që ta bind gjykatën që procesi i gjykimit në mungesë të zhvillohet pa prezencën e të pandehurve gjatë gjithë ecurisë së procesit”, thotë Bajraktari.

Por ndryshe nga Bajraktari, mendon avokati tjetër, Tomë Gashi. Ai për Ekonomia Online thotë se vrasje e rëndë është në këtë dosje pasi aktet terroriste dhe vrasja e rëndë nuk e eliminojnë njëra-tjetrën.

“Sigurisht se Prokuroria (Speciale) është duke hetuar për vrasje të rëndë dhe për akte të terrorizimit sepse këto nuk e eliminojnë njëra-tjetrën dhe duke ditur se fatkeqësisht është vra polici jonë Afrim Bunjaku atëherë nuk ka mundësi tjetër veçse të hetohet dhe në të ardhmen të akuzohen të gjithë përgjegjësit në krye me Milan Radojiqiçin edhe për vrasje të rëndë edhe për akte të terrorizmit dhe për vepra tjera penale që e kanë rrezikuar shtetin tonë dhe faktikisht këto vepra penale nuk e eliminojnë njëra-tjetrën”, u shpreh Gashi.

Ndonëse thotë se ka mundësi të gjykohen në mungesë, një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme. Ai thotë se edhe faktori ndërkombëtar po kërkon që kryerësit e këtij sulmi terrorist të dalin para drejtësisë. Për këtë, përmend edhe fletëarrestin ndërkombëtar për Milan Radjoçiqin.

“Ka mundësi me u zhvillu gjykimi në mungesë por nuk besoj që ne si shtet si Kosovë që kemi ndonjë interes të gjykimit të bëhet në mungesë. Në këtë rast duhet ta dimë që e gjithë Bashkësia Ndërkombëtare është e interesuar që Radojiçiq dhe të tjerët të dalin para drejtësisë dhe tanimë është e ditur se ka një fletëarrest nga Interpoli kështu që mbetet Serbia herë dokurdo me presionin ndërkombëtarë që ta ekstradojë atë për tu gjykuar në Kosovë nëse mbahet gjykimi në mungesë ligjërisht mund të jetë krejt në rregull por besoj se të gjitha faktet që do duhej të shtjelloheshin gjatë gjykimit ndoshta edhe do duken paksa më të zbehta kur personi kryesor apo personat që kanë qenë  të involvuar në këtë ngjarje terroriste të mos jenë prezent në sallën e gjykimit, në sallën e gjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë  po e them sepse për këto raste terroriste është vetëm Gjykatën Themelore në Prishtinë kompetente”, u shpreh Gashi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi