Incidenti fatal ndodhi pasi ushtria izraelite e detyroi kamionin të merrte një rrugë të pasigurt në Gazën qendrore
Të paktën 25 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur një kamion me ndihma u përmbys mbi turmën që priste shpërndarjen e ndihmave, ndërsa ushtria izraelite vrau 19 të tjerë në të gjithë Rripin e Gazës të mërkurën, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore e lajmeve Wafa tha se incidenti fatal ndodhi pasi ushtria izraelite e detyroi kamionin të merrte një rrugë të pasigurt në Gazën qendrore. Agjencia nuk e specifikoi vendndodhjen e saktë të incidentit.
Ndërkohë, një burim mjekësor tha se pesë palestinezë u vranë nga të shtënat izraelite ndërsa prisnin shpërndarjen e ndihmave pranë një pike shpërndarjeje në Rafah perëndimore në Gazën jugore.
Pesë anëtarë të një familjeje u vranë dhe më shumë se 20 persona u plagosën në një sulm që goditi një apartament banimi në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore.
Në qytetin e Gazës, një foshnjë 6-muajshe u vra në një sulm me dron izraelit ndaj një tendë që strehonte familje të zhvendosura. Sulmet izraelite shënjestruan dy shtëpi të tjera në të njëjtin qytet, duke vrarë tetë palestinezë, përfshirë fëmijë.
Izraeli ka vendosur një bllokadë në Gaza për 18 vjet dhe që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha kalimet, duke përkeqësuar kushtet humanitare në enklavë. Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 61.000 palestinezë në territorin palestinez që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavën palestineze.