Bashkimi Evropian ka refuzuar edhe një herë vendosjen e sanksioneve të pjesshme ndaj Izraelit, pasi të hënën dështoi iniciativa për t’i mohuar këtij shteti një pjesë të fondeve nga programi Horizon Europe për shkak të agresionit në Gaza.
Sipas disa diplomatëve evropianë, në një takim online të Grupit të Punës Magreb – që merret me vendimet e politikës së jashtme të BE-së ndaj Izraelit ndër të tjera – nuk u arrit shumica e kualifikuar mes 27 ambasadorëve të shteteve anëtare për miratimin e këtij vendimi.
Sipas propozimit, Izraeli do të humbiste 200 milionë euro nga grantet e ardhshme të këtij programi, i cili në total ka një buxhet prej 95 miliardë eurosh.
Megjithatë, edhe për këtë “sanksion minimal” nuk pati mjaftueshëm mbështetje, dhe Izraeli do të vazhdojë të ketë qasje në fondet e programit.
Ashtu si javën e kaluar, mungesa e mbështetjes nga Gjermania dhe Italia – pa votat e të cilave nuk është e mundur arritja e shumicës së kualifikuar – e bëri të pamundur miratimin e masës.
Në anën tjetër të këtyre shteteve, që preferojnë “dialogun me Izraelin”, qëndrojnë Franca, Spanja dhe Irlanda, të cilat mbështetën propozimin. Disa vende, si Finlanda dhe Rumania, mbeten ende “të pavendosura”.
Diplomatët evropianë theksuan se shumica e shteteve anëtare mendojnë se sanksionet ndaj Izraelit duhet të vendosen përmes vendimeve individuale të secilit shtet, duke marrë si shembull njohjen e shtetit palestinez nga Franca.