Mike pretendon se si ushtria izraelite ashtu edhe personeli i sigurisë amerikane hapën zjarr ndaj palestinezëve të mbledhur për të marrë ndihmë dhe se ai i regjistroi fshehurazi ato momente
Një dëshmitar okular amerikan pretendon se midis atyre që shënjestruan civilët në pikat e ndihmës në Gaza, ku Izraeli vazhdon sulmet e tij, krahas anëtarëve të ushtrisë izraelite ishin dhe personeli amerikan i sigurisë së nënkontraktuar me mision në Fondacionin e Ndihmës Humanitare (GHF) në Gaza, transmeton Anadolu.
Dëshmitari që nuk dëshiron të identifikohet dhe i cili përdori emrin “Mike”, i tha CBS News se u punësua nga një kompani logjistike amerikane për të drejtuar një kamion ndihme në Izrael dhe më pas filloi të punojë nën strukturën e GHF-së të mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Mike tha se palestinezët në zonë u mblodhën disa orë para se të hapeshin pikat e ndihmës për të marrë ndihmë ushqimore dhe tha se ai “nuk kishte parë kurrë një turmë kaq të dëshpëruar më parë”.
Duke thënë se dy ose tre ditë pasi filloi të punonte e kuptoi se popullata civile po shënjestrohej, Mike pretendon se si ushtria izraelite ashtu edhe personeli i sigurisë amerikane hapën zjarr ndaj palestinezëve të mbledhur për të marrë ndihmë dhe se ai i regjistroi fshehurazi ato momente.
CBS News raportoi se në videot e filmuara fshehurazi nga Mike të momenteve kur shënjestroheshin civilët personat që po hapnin zjarr nuk shihen, por se programi i punës dhe të dhënat që gjenden në telefonin e tij konfirmojnë se ai ndodhej në Gaza në datën dhe orët që ai ka deklaruar.
Kur u pyet nëse të shtënat me armë zjarri të regjistruara në video ishin apo jo të shtëna paralajmëruese, Mike u përgjigj: “Jo, ishin të shtëna të rastësishme”.
Pasi shpjegoi se oficerët e sigurisë së kontraktorëve amerikanë folën për zogjtë që qëlluan për të vërtetuar aftësinë e tyre të qitjes, Mike tha se “Ata mburren shpesh se sa njerëz kishin vrarë dhe nëse kishin qëlluar ndonjë kafshë”.
Ai thekson se oficerët e kishin ngarkuar me detyrën për pastrimin e mbetjeve njerëzore dhe shtazore rreth pikës së ndihmës. Në anën tjetër, GHF mbrojti idenë se kontraktorët nuk kanë qëlluar mbi civilët, se nuk kishte vdekje nga të shtënat me armë zjarri në ose afër ndonjë pike ndihme dhe se ata kurrë nuk janë përballur me kufoma të pakërkuara.
Edhe ushtria izraelite mohon akuzat se civilët palestinezë u qëlluan qëllimisht.
Sipas të dhënave të OKB-së, që kur GHF filloi operacionet, shumë palestinezë mendohet se janë qëlluar për vdekje nga ushtria izraelite dhe kontraktorët e huaj ushtarakë në ose përreth pikave të ndihmës.