Deputetja spanjolle Irene Montero akuzoi Bashkimin Evropian se nuk i ka mbrojtur qytetarët evropianë që ndodheshin në anijen e flotës për Gazën, të cilën e ndaloi Izraeli, duke i drejtuar kritika të ashpra shefes së diplomacisë evropiane Kaja Kallas gjatë seancës plenare për Lindjen e Mesme.
Duke iu drejtuar Kallas në sallën e parlamentit, deputetja e partisë Podemos dënoi veprimet e Izraelit në Mesdhe dhe akuzoi liderët e BE-së për heshtje.
“Izraeli tash e 24 orë ndodhet në mes të Mesdheut dhe, imagjinoni, po rrëmben anije dhe po kidnapon qytetarë evropianë. Për ju kjo është qesharake, apo jo? Për mua aspak nuk është qesharake”, tha ajo, duke pyetur:
“A do ta lëvizni ndonjëherë qoftë edhe një gisht për t’i mbrojtur ata?”, deklaroi Montero.
Montero vuri në pikëpyetje se si do të reagonte BE-ja nëse një shtet tjetër do të kryente veprime të ngjashme.
“Çfarë do të bënit sikur të ishte Irani, sikur të ishte Rusia që ndodhet në mes të Mesdheut dhe rrëmben qytetarë evropianë? Por meqë bëhet fjalë për Izraelin, ju vetëm buzëqeshni dhe ktheni kokën anash. Turp t’ju vijë”, tha ajo.
Më vonë të mërkurën, Montero publikoi videon e fjalimit të saj në rrjetin social amerikan X, duke akuzuar BE-në se po ndihmon “gjenocidistët”.
“Izraeli po sulmon dhe po rrëmben anije me ndihma për Gazën në mes të Mesdheut, ndërsa kjo zonjë e merr me të qeshur dhe nuk bën asgjë për t’i mbrojtur njerëzit e rrëmbyer. Ata po ndihmojnë gjenocidistët dhe këtë nuk po e fshehin më”, shkroi ajo.
Flotila humanitare e ndihmës Global Sumud njoftoi të martën se të gjitha 50 mjetet lundruese të konvojit të saj humanitar ishin konfiskuar nga Izraeli.
Skandal të madh shkaktoi edhe poshtërimi i humanitarëve të ndaluar nga ana e Izraelit, ku mori pjesë edhe ministri Itamar Ben-Gvir. Shumë shtete evropiane shprehën protestë diplomatike dhe thirrën ambasadorët izraelitë për sqarime për shkak të trajtimit çnjerëzor.









