Deputeti rumun: Ditë historike, Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës dhe t’i përmbushë angazhimet ndërkombëtare

Deputeti nga Rumania Iulian Bulai, e konsideroi historike ditën e sotme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku po shqyrtohet raporti që rekomandon anëtarësiomin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme

Megjithëse vjen nga vendi që s’e njeh pavarësinë e Kosovës, ai tha se shpreson që vendimi të jetë në favor të anëtarësimit të shtetit më të ri të Ballkanit në KiE.

“Kjo është ditë historike nga këndvështrimi liberal. Ne mbrojmë të drejtat e individëve, jo të shteteve, jo të etnive. Vendimi i sotëm do të thotë më shumë të drejta për 1.6 milionë njerëz që kanë përjetuar edhe luftën, plagët e të cilëve ende janë duke u shëruar, dhe janë të detyruar ta ndërtojnë të ardhmen së bashku”, tha Bulai.

“Vendimi i sotëm është pikë fillimi dhe presim nga Kosova të përmbushë të gjitha reformat e dakorduara dhe angazhimet ndërkombëtare të saj. Kosova është e gatshme dhe meriton të hyjë në Këshillin e Europës”, shtoi ai.

Duke iu referuar Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se s’duhet të krijohet një Republika Srpska e dytë në Kosovë.

“Ne nuk duam të marrim shtegun e gabuar të krijimit të një Republika Srpska të dytë në Kosovë, por as të mos i injorojmë nevojat reale të pakicës serbe që duhen respektuar dhe duhen të jenë të përfshirë në Kosovë”, tha Bulai.

Kategoritë
LajmeVendi