Deputetë kosovarë dhe gjermanë diskutuan për situatën në Kosovë

Deputetët gjermanë shprehën përkrahje të madhe për Republikën e Kosovës, sidomos për situatën e krijuar pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Delegacioni me deputetë nga Grupi i Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë është pritur në takim nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.

Pas takimit, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Hyseni-Kryeziu në një deklaratë për media tha se qëllimi i vizitës së deputetëve gjermanë është diskutimi i zhvillimeve aktuale të cilat përfshinë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Hyseni-Kryeziu tha se deputetët gjermanë shprehën përkrahje të madhe për Kosovën, sidomos për situatën e krijuar pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

“Duke na ofruar po ashtu mbështetje për Procesin e Berlinit i cili e dimë se është dizajnuar pikërisht për ta trasuar rrugën drejt integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne si Republikë e Kosovës jemi krenarë që asnjëherë s’kemi hequr dorë prej këtij procesi dhe kemi besuar që është e vetmja alternativë që e çon vendin tonë drejt Bashkimit Evropian. Dhe jemi shumë të lumtur sot të dëgjojmë prej përfaqësuesve të Gjermanisë se kjo vazhdon të jetë e vetmja alternativë dhe se ata do ta mbështesin Republikën e Kosovës që nëpërmjet këtij procesi të synohet anëtarësimi qoftë në Partneritetin për Paqe, qoftë në NATO, qoftë në BE”, theksoi Hyseni-Kryeziu.

Deputetja kosovare tha se me iniciativë të deputetëve gjermanë, është kërkuar që edhe parlamentet dhe deputetët të përfshihen në Procesin e Berlinit dhe tashmë kanë nisur këto takime me qëllim që ky proces të jetë i mbikëqyrur edhe prej anës së nivelit parlamentar.

Deputetët gjermanë të cilët vijnë nga parti të ndryshme gjermane po zhvillojnë një vizitë në disa vende të rajonit, nisur nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosovë dhe më pas edhe në Serbi.

Një ditë më herët delegacionin e deputetëve të Bundestagut gjerman e priti në takim edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilët diskutoi tema si arritja e liberalizimit të vizave, bashkëpunimi rajonal, procesi i dialogut dhe akti i agresionit të Banjskës.

Kategoritë
LajmeVendi