Depoja franceze e mbeturinave toksike kërcënon burimin kryesor të ujit në Evropë

Mijëra tonë mbeturinash toksike janë të mbetura të varrosura nën njërën nga rezervat më të rëndësishme evropiane të ujërave nëntokësore, në qytetin Wittelsheim në rajonin e Alsasit në veri-lindje të Francës.

Autoritetet franceze vendosën në qershor të mbyllin në mënyrë të përhershme depozitat e mbeturinave në minierën e dikurshme të potashit “Stocamine”, duke argumentuar se nuk kishte kohë të mjaftueshme për heqjen e sigurtë të tyre. Megjithatë, shkencëtarë dhe grupe avokuese kundërshtojnë fuqishëm këtë vendim, nga frika se kimikatet mund të depërtojnë në rezervat e ujit të Rinës së Sipërme.

Rreth 42 000 tonë mbeturina toksike ndodhen të varrosura 500 metra nën tokë, në një zonë që përfshin 125 kilometra tunele.

Më 17 qershor, gjykata në Strasburg vendosi se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për heqjen e sigurtë të mbeturinave nga ish-miniera e potashit “Stocamine” (potashi përdoret në bujqësi si pleh dhe si lëndë e parë në industrinë farmaceutike). Gjykata argumentoi se rreziku i kolapsit të tuneleve e bën heqjen e mbeturinave jashtëzakonisht të rrezikshme .

Në deklaratën për media të gjykatës së Strasburgut, datë 15 maj, thuhet se studimet e paraqitura në dosje tregojnë se vendi do të jetë i arritshëm vetëm në “kushtet e mjaftueshme të sigurisë deri në vitin 2027/2028”.

Pas shqyrtimit të të gjitha opsioneve në lidhje me rrezikun mjedisor, raportuesi publik urdhëroi mbylljen e përhershme të depot nën tokë dhe mbulimin e tyre me mure të trasha betoni për të parandaluar rrjedhjen e kimikateve.

Por shkencëtarët shqetësohen se mbeturinat toksike mund të depërtojnë në ujerat nëntokësore të Alsacit, një nga burimet më të rëndësishme të ujërave nëntokësore në Evropë.

Gjeologu zviceran Marcos Buser deklaroi: “Pas 20, 30, 50 vjetësh, njerëzit do të thonë ‘ishin të çmendur që nuk i hoqën këto mbeturina kur mund të bënin’.”

Ai beson se arsyeja reale pse autoritetet franceze nuk duan t’i heqin është për shkak të mbetjeve kimike të papërshkruara brenda minierës.

Qeveria franceze miratoi në 1997 transformimin e minierës në depo mbeturinash për të mbështetur ekonominë e qytetit, e cila vuante pas rënies së industrisë së nxjerrjes së potashit.

Kategoritë
BotaLajme