Personat që aplikojnë për jetë ose punë në SHBA tani do të kontrollohen edhe për “antiamerikanizëm” të mundshëm, përfshirë verifikimin e profileve të tyre në rrjetet sociale, njoftuan autoritetet, në kuadër të ashpërsimit të kufizimeve që kanë shqetësuar avokatët dhe mbrojtësit e emigracionit.
Zyrtarët e emigracionit do të mund të kontrollojnë nëse aplikantët kanë pasur “çfarëdo lloj përfshirjeje në organizata antiamerikane ose terroriste” ose nëse ekziston “provë për aktivitete antisemitike”, thuhet në politikën e përditësuar të Shërbimit Amerikan për Shtetësi dhe Imigracion (USCIS).
Kontrollet e rrjeteve sociale, të cilat administrata e Donald Trump i kishte futur në qershor në procesin e verifikimit të emigracionit, tani do të zgjerohen për të përfshirë edhe gjurmimin e çdo “aktiviteti antiamerikan”, sipas deklaratës.
Departamenti i Shtetit ka anuluar këtë vit mbi 6.000 viza studentore, tha një zyrtar të hënën.
Në qershor, Departamenti i Shtetit kishte njoftuar se ambasadat dhe përfaqësitë konsullore duhet të kontrollojnë aplikantët për viza studentore për shkak të “qëndrimeve armiqësore ndaj qytetarëve tanë, kulturës, qeverisë, institucioneve ose parimeve tona themelore.”
“Përfitimet amerikane nuk duhet të jepen atyre që e përbuzin këtë vend dhe promovojnë ideologji antiamerikane,” tha zëdhënësi i USCIS-it, Matthew Tragesser, në një komunikatë publike.
Ai shtoi se agjencia e emigracionit “është e përkushtuar në implementimin e politikave dhe procedurave që çrrënjosin antiamerikanizmin dhe mbështesin zbatimin e masave rigoroze të kontrollit dhe mbikëqyrjes në shkallën më të lartë të mundshme.”
Politika e përditësuar nuk dha një përkufizim të saktë të “antiamerikanizmit,” por vetëm theksoi se i referohet atyre që mbështesin “terrorizmin antisemit, organizatat terroriste antisemite dhe ideologjitë antisemite.”
Megjithatë, dokumenti u referua një pjese të Ligjit për Imigrimin dhe Shtetësinë të vitit 1952 (INA) si shembull i ideologjive “antiamerikane.”
Ky ligj, që përbën kornizën kryesore ligjore të SHBA-së për emigracionin, ndalon disa persona të bëhen qytetarë të natyralizuar, përfshirë anëtarë të partive të ndryshme komuniste, ata që përkrahin “komunizmin botëror”, ata që shkruajnë ose shpërndajnë materiale kundër “çdo qeverie të organizuar”, ose ata që synojnë rrëzimin e qeverisë amerikane me dhunë.
Ky njoftim shkaktoi menjëherë konfuzion dhe shqetësim, ndërsa në forume online nisi debat mbi atë se çfarë saktësisht konsiderohet “antiamerikanizëm”.
Shumë shprehën frikën se formulimi i paqartë dhe mungesa e një definicioni të qartë mund t’u japë nëpunësve të emigracionit më shumë kompetenca për të ashpërsuar procesin e emigrimit, pavarësisht ekzistencës apo jo të një kërcënimi real.