Schumer theksoi se sipas ligjit federal kur pesë senatorë nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare kërkojnë që ekzekutivi të dorëzojë dokumente hetimore, “ata janë të detyruar të zbatojnë kërkesën”
Udhëheqësi i pakicës në Senatin e SHBA-së, Chuck Schumer, ka deklaruar se demokratët e Senatit do të përdorin një ligj të vjetër mbi një shekull për të detyruar publikimin e plotë të dosjeve të Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, transmeton Anadolu
“Sot, demokratët e Senatit ndërmarrin hapa shtesë për të zbuluar të vërtetën mbi dosjet e Epstein-it. Këtë mëngjes, bashkë me të gjithë kolegët e mi demokratë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare, po përdorim një ligj të vjetër, të njohur si ‘Rregulli i pesë’, për të detyruar Departamentin e Drejtësisë të publikojë dosjet e plota dhe të papërpunuara për Epstein-in, të cilat deri tani, natyrisht, ata kanë refuzuar t’i bëjnë transparente”, tha Schumer nga salla e Senatit.
Ai theksoi se sipas ligjit federal kur pesë senatorë nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare kërkojnë që ekzekutivi të dorëzojë dokumente hetimore, “ata janë të detyruar të zbatojnë kërkesën”.
“Kërkesa jonë përfshin të gjitha dokumentet, dosjet, provat apo materiale të tjera që ndodhen në posedim të Departamentit të Drejtësisë ose FBI-së që lidhen me çështjen ‘SHBA-ja kundër Jeffrey Epstein’ ”, shtoi ai.
Schumer tha se senatorët presin që administrata e presidentit Donald Trump t’i dorëzojë dokumentet deri më 15 gusht.
Ai tha se presidenti Trump ka premtuar vazhdimisht gjatë fushatës se do t’i publikojë dosjet, por nuk ka ndërmarrë asgjë që nga marrja e detyrës.
Schumer gjithashtu kritikoi Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi dhe drejtorin e FBI-së, Kash Patel, për mos veprim, si dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, për mbylljen e papritur të seancës pa lejuar votimin për transparencën.
“Shtrohet pyetja… nëse nuk ka asgjë për të fshehur, pse gjithë kjo shmangie?. Sot, demokratët e Senatit ndërmarrin veprime. Po zbatojmë ligjin federal dhe po përdorim autoritetin tonë si kontroll ndaj pushtetit ekzekutiv për të kërkuar transparencë”, tha Schumer, duke u bërë thirrje republikanëve të mbështesin kërkesën për zbardhjen e dosjeve për Epstein-in.
“Donald Trump duhet të ndalojë së fshehuri nga e vërteta. Duhet të ndalojë së fshehuri nga populli amerikan”, shtoi ai.
Vendimi i Departamentit të Drejtësisë këtë muaj, që Epstein nuk u vra në qelinë e tij në vitin 2019 dhe se ai “nuk kishte listë klientësh”, ka shkaktuar një përçarje të thellë me bazën politike MAGA (Make America Great Again) të presidentit Trump.
Ndërkohë, derisa baza e tij politike dhe një pjesë e madhe e publikut kërkojnë publikimin e plotë të dosjeve të Epstein-it, duke fshehur emrat e viktimave, Trump i ka shmangur këto kërkesa, duke i quajtur të parëndësishme.
Epstein për dekada me radhë kishte lidhje të ngushta me njerëz të pasur dhe me ndikim, përfshirë politikanë të njohur, përpara se të deklarohej fajtor në vitin 2008 për shfrytëzim seksual dhe sigurim të një të miture për prostitucion.
Aleatët e presidentit Trump nga lëvizja MAGA prej vitesh kanë kërkuar me zë të lartë publikimin e plotë të dosjeve të qeverisë për Epstein-in, duke spekuluar se ato përmbajnë informacione kompromentuese për figura të fuqishme.
Sipas Wall Street Journal, Departamenti i Drejtësisë ka në posedim një “kamion me dokumente” që lidhen me Epstein-in.