– Andriy Yarmak, kreu i zyrës presidenciale ukraianse, tha se delegacioni përcolli përshëndetjet nga presidenti Volodymyr Zelenskyy dhe falënderoi Turqinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme
Një delegacion ukrainas ka zhvilluar bisedime në Ankara me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, para raundit të tretë të negociatave të paqes Ukrainë-Rusi në Stamboll, raporton Anadolu.
Andriy Yarmak, kreu i zyrës presidenciale ukraianse, tha në platformën sociale X se delegacioni përcolli përshëndetjet nga presidenti Volodymyr Zelenskyy dhe falënderoi Turqinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme.
“Ne shprehëm mirënjohjen tonë për Turqinë dhe presidentin Erdoğan për mbështetjen e tyre të vazhdueshme politike dhe të sigurisë për Ukrainën gjatë gjithë luftës në shkallë të plotë me Rusinë”, tha Yarmak.
Yarmak njoftoi se delegacioni u drejtua nga sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov.
“Ne gjithashtu e vlerësojmë gatishmërinë e Turqisë për të ofruar një platformë për negociata dhe për të mbështetur përpjekjet diplomatike që synojnë arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”, tha ai.
Sipas tij, diskutimet mbuluan “situatën e sigurisë, sfidat e stabilitetit rajonal dhe perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm në mbrojtje”, sipas Yermak, i cili i përshkroi takimet si “konstruktive”.
Zyrtarët ukrainas gjithashtu u takuan me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan dhe Akif Çağatay Kılıç, këshilltarin kryesor të presidentit Erdoğan.
“Ne jemi mirënjohës ndaj Turqisë dhe popullit turk për qëndrimin e tyre të palëkundur. Ne e vlerësojmë mundësinë për t’u angazhuar”, tha Yarmak.
Ai tha se ata folën edhe për rëndësinë e organizimit të një takimi të nivelit të lartë, që përfshin presidentët Erdoğan, Zelenskyy, Donald Trump dhe Vladimir Putin, si një hap drejt fillimit të bisedimeve kuptimplote të paqes për të ndihmuar në përfundimin e luftës.
“Dinamika e procesit të paqes ka shumë rëndësi për ne, sepse kjo ka të bëjë me njerëz të vërtetë, fëmijë të vërtetë që u rrëmbyen nga Rusia dhe të gjithë duhet të kthehen në shtëpi”, shtoi ai.
– Bisedimet e paqes
Raundi i tretë i bisedimeve të rinovuara të paqes Rusi-Ukrainë, të ndërmjetësuara nga Turqia, do të fillojë në Stamboll sonte më vonë.
Sipas burimeve diplomatike turke, takimi trepalësh që përfshin delegacione nga Turqia, Rusia dhe Ukraina është planifikuar të fillojë rreth orës 7 të mbrëmjes me kohën lokale në Pallatin Çırağan.
Takimi do të kryesohet nga ministri Fidan dhe pritet të mbledhë zyrtarë të lartë nga të tre vendet.
Shefi i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë, Ibrahim Kalın dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Turk, gjenerali Metin Gürak, pritet të marrin pjesë gjithashtu në takim.
Dy raundet e para u mbajtën më 16 maj dhe 2 qershor. Në bisedimet që u zhvilluan gjithashtu në Pallatin Çırağan, të dyja palët ranë dakord të shkëmbejnë të burgosur shtesë lufte, duke i dhënë përparësi më të rinjve dhe më të plagosurve rëndë, si dhe të kthejnë trupat e 6 mijë ushtarëve nga secila palë.
Moska dhe Kievi shkëmbyen gjithashtu memorandume që përshkruajnë vizionin e tyre për t’i dhënë fund konfliktit që ka vazhduar që nga shkurti i vitit 2022.
Delegacioni rus do të udhëhiqet nga ndihmësi presidencial, Vladimir Medinsky, ndërsa Umerov do të kryesojë delegacionin e Kievit.