Delegacioni nga Serbia në Potoçari: Dënimi i gjenocidit duhet të jetë i qartë dhe i paanshëm

Delegacioni i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë (PSG) nga Serbia, i udhëhequr nga kryetari Pavle Grbović, mori pjesë sot në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

“Sot është një paralajmërim historik për pasojat tragjike që mund të sjellë politika e bazuar në nacionalizëm ekstrem dhe urrejtje ndaj përkatësive të tjera. Detyra jonë njerëzore është të nderojmë viktimat e këtij krimi, ndërsa obligim politik të pranojmë aktgjykimet e formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare dhe të marrim përgjegjësinë morale dhe politike për aktorët që krijuan atmosferën ku këto krime ishin të mundshme,” u deklarua nga PSG.

Në deklaratë theksohet se dënimi i gjenocidit duhet të jetë i qartë dhe i paçalueshëm, dhe se përballja me të vërtetën është parakusht për lirimin e brezave të rinj nga barra e përgjegjësisë morale dhe politike.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalojmë politika të mundshme gjenocidale në të ardhmen. Bëhet fjalë për njerëz që mbajnë përgjegjësi për dekadën më turpëruese të historisë sonë dhe që sot vazhdojnë të mbajnë pozita pushteti. Duke mbrojtur të kaluarën e tyre, ata po ua rrëmbejnë të ardhmen qytetarëve të Serbisë,” përfundoi delegacioni.

Kategoritë
LajmeRajoni