Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se, edhe nëse administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk është plotësisht e fokusuar te Kosova tani, është e rëndësishme të vazhdohet dialogu dhe të kërkohen aleatë brenda saj.
“Është e dobishme të fillosh të krijosh kontakte dhe zakone komunikimi për kur të vijë momenti”, thotë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Fried e shoqëroi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në disa takime që zhvilloi javën e kaluar në SHBA.
Sipas tij, Osmani di si t’u flasë amerikanëve.
“Mendoj se është gjithmonë ide e mirë që Shtetet e Bashkuara ta dinë se çfarë duan, dhe më bëri përshtypje të dëgjoj një mesazh me qartësi strategjike nga presidentja Osmani. Nuk dua të hyj në detaje, por ajo e paraqet shumë mirë çështjen. Nuk e di se si kanë shkuar takimet e saj me administratën, por ajo është një person i fortë, udhëheqëse bindëse dhe sigurisht di se si t’u flasë amerikanëve”, ka deklaruar Fried.
I pyetur të komentojë deklaratat e saj se Trump ka parandaluar së voni një përshkallëzim të situatës nga Serbia në Kosovë, Fried thotë se nuk i di detajet.
“…por është gjithmonë e mirë si taktikë t’ia atribuosh meritat administratës Trump”, thotë ai.
Fried ka folur edhe për ngërçin në Kuvendin e Kosovës, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe SHBA-së e të tjera.
“Unë mendoj se Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, por i duhet edhe aftësi për t’u përballur me sfidat e saj në mënyrë të qëndrueshme dhe energjike. Ngërçi i zgjatur politik nuk është problem në vetvete, për aq kohë sa zgjidhet me formimin e një qeverie që mund ta bëjë punën e vet. Pra, nuk jam i alarmuar nga problemet aktuale, por Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë e aftë të bashkëpunojë me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe të përballet me sfidat e brendshme – përtej problemeve që ka me Serbinë”, ka deklaruar Fried.