“Defender Europe 2025”, përfshihen edhe stërvitje të mjeteve ajrore pa pilot

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka folur për angazhimin e Forcës Ajrore Shqiptare në stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 25”, një pjesë e kësaj stërvitjeje po mbahet në Kosovë.

Në njoftimin e lëshuar bëhet e ditur se FASh po luan një rol kyç në ndërtimin e një force shumëkombëshe të aftë për të vepruar në mjedise komplekse operacionale.

“Për herë të pare në një stërvitje të tillë është përfshirë detashmenti i mjeteve ajrore pa pilot në këtë nivel. Nga kërkim-shpëtimi me helikopterët Cougar dhe Blackhaëk të Bazës Ajrore Farkë, deri te mbështetja e operacioneve tokësore dhe gatishmëria për evakuime mjeksore MEDEVAC/CASEVAC”

“Bashkëpunimi rajonal dhe koordinimi me institucione civile si Albcontrol dhe partnerë ndërkombëtarë si FSK në Kosovë, e bën këtë stërvitje një hap të rëndësishëm për rritjen e sigurisë dhe gatishmërisë në rajon”, thuhet në njoftim.

“Defender Europe 2025” ka filluar nga dje në Shqipëri, e organizuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM), në bashkëpunim me aleatët e NATO-s dhe partnerët strategjikë, stërvitja do të zgjasë deri më 9 qershor 2025.

Në orët e para të mëngjesit të së martës, trupat shqiptare u nisën nga Zall-Herri drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, ku do të zhvillohen fazat më intensive të manovrave. Ushtrimet përfshijnë operacione mësymëse, mbrojtëse dhe dislokime strategjike në terrene të vështira.

Kategoritë
LajmeVendi