Në një lajm ekskluziv, media publikoi fotografi të Epsteinit duke marrë pjesë në dasmën e Trumpit në vitin 1993 me Marla Maples në Hotel Plaza në New York
CNN-i zbuloi të martën pamje video dhe foto të arkivuara që tregojnë marrëdhënien e kaluar të presidentit të SHBA-së Donald Trump me financierin e akuzuar për krime seksuale Jeffrey Epstein, transmeton Anadolu.
Në një lajm ekskluziv, media publikoi fotografi të Epsteinit duke marrë pjesë në dasmën e Trumpit në vitin 1993 me Marla Maples në Hotel Plaza në New York.
Pamjet nga një event mode i “Victoria’s Secret” në vitin 1999 në New York tregojnë Trumpin dhe Epsteinin duke qeshur dhe biseduar së bashku përpara ngjarjes së pasarelës, thuhet në lajm.
Lajmi erdhi ndërsa fokusi po përqendrohet gjithnjë e më shumë rreth lidhjeve të kaluara të Trumpit me Epsteinit. Vendimi i fundit i Departamentit të Drejtësisë për të mbajtur të fshehtë dokumentet e premtuara prej kohësh në lidhje me hetimin mbi Epsteinin ka shkaktuar reagim të ashpër midis disa anëtarëve të lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA) të Trumpit, ku ishin krijuar pritje për zbulime rreth bashkëpunëtorëve të dyshuar të Epsteinit.
Trump, i pyetur nga CNN-i në lidhje me fotografitë e dasmës, ka thënë: “Duhet të jesh duke bërë shaka me mua”, përpara se ta quante vazhdimisht median “lajme të rreme” dhe ta mbyllte telefonin.
Sipas lajmit, Drejtori i Komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, ka thënë se “Këto nuk janë gjë tjetër veçse kapje jashtë kontekstit të videove dhe fotografive të padëmshme të ngjarjeve me pjesëmarrje të madhe për të nxjerrë në mënyrë të neveritshme diçka të ligë”.
“Fakti është se presidenti e përzuri atë nga klubi i tij për shkak se ishte një njeri i neveritshëm. Kjo nuk është gjë tjetër përveçse një vazhdim i tregimeve të rreme të sajuara nga Demokratët dhe media liberale”, tha Cheung për CNN-in.
Epstein vrau veten në qelinë e burgut në New York në gusht të vitit 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikut seksual. Edhe pse vdekja e tij u klasifikua si vetëvrasje, një valë teorish konspirative u përhap për shkak të lidhjeve të tij të dokumentuara mirë me figura të njohura dhe me ndikim.
Një gjykatës federal urdhëroi të martën zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë që brenda një jave të japin më shumë informacion pse dëshmitë para jurisë së madhe në çështjen Epstein nuk duhet të bëhen publike.
Ndërkohë, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, njoftoi të martën se do ta mbyllë më herët punën e Dhomës për pushimet e gushtit, duke bllokuar përpjekjet e Demokratëve për të detyruar votime mbi publikimin e dosjeve të hetimit për Epsteinin.