Duket se Rusia ka ndërtuar gjatë dy viteve të fundit një bazë spiunazhi në bregun e Detit Baltik, sipas imazheve satelitore.
Studiuesit e projektit Tochnyi, i cili thotë se “qëllimi i tij është raportimi i saktë” mbi luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, pohojnë se objekti i dyshuar spiun gjendet në rajonin e Kaliningradit – gjysmë-enklava ruse e vendosur mes dy anëtarëve të NATO-s, Polonisë dhe Lituanisë. Raportohet se ndërtimi ka nisur në mars 2023 dhe është pothuajse i përfunduar.
Sipas tyre, në rrethin Çernjahovsk të Kaliningradit, në jug të një baze ajrore që përdoret nga flota baltike e Rusisë, është ngritur një rreshtim antenash në formë rrethore – një CDAA (Circularly Disposed Antenna Array), strukturë ushtarake e projektuar për operacione radio-obavëshuese dhe komunikim.
Çfarë është CDAA?
Lokacionet dhe rrjetet CDAA, të përdorura gjerësisht nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, shërbejnë për zbulim të sinjaleve, mbikëqyrje elektronike dhe komunikim me nëndetëse.
Objekti i dyshuar mund të përdoret nga Rusia për të përgjuar komunikimet radio të NATO-s dhe për triangulimin e pozicioneve të tyre. Analiza e imazheve satelitore tregon se antena mund të ketë një diametër deri në 1.600 metra, shumë më i madh se format e njohura të CDAA.
Hulumtuesit vërejnë disa tipare karakteristike: konfigurim rrethor me pika të shpimeve të shpërndara në mënyrë të barabartë, zhvillim radial nga një nyje qendrore që sugjeron kabllo të futura nëntokë, si dhe ngritjen e një perimetri sigurie.
Nga gushti 2024, vendi kishte përfunduar murin rrethues, pikën e hyrjes me kontroll dhe një model të qartë të rrethave koncentrikë. Janë të dukshme të paktën gjashtë unaza koncentrike, me shpime të baraslarguara ku mund të ngrihen shtylla për antena.
Pse Kaliningradi?
Vendosja e një strukture të tillë në këtë rajon shihet si “strategjikisht logjike”. Kaliningradi është territori më perëndimor i Rusisë, jashtëzakonisht i militarizuar, dhe i garanton Kremlinit liri të lundrimit dhe fluturimit në Detin Baltik.
Një instalim i tillë do t’i mundësonte Rusisë të monitoronte komunikimet elektronike të NATO-s në të gjithë Evropën Lindore dhe rajonin e Baltikut, të komunikonte me nëndetëset në Baltik apo Atlantikun e Veriut dhe të mbështeste mbledhjen pasive të inteligjencës – në përputhje me doktrinën ruse të luftës elektronike.
Analistët e Tochnyi-t e përshkruajnë këtë bazë të re si një “nyje kyçe të arkitekturës ruse të sinjaleve, inteligjencës dhe komunikimeve strategjike” dhe një “urë mes teknologjisë së Luftës së Ftohtë dhe doktrinës moderne ushtarake që synon mohimin, mbikëqyrjen dhe dominimin e informacionit.”