Çavuşoğlu: Xhamia turke në Mariupol të Ukrainës nuk është dëmtuar

Ministri i Jashtëm i Turqisë informoi se të paktën 14.480 shtetas turq janë evakuuar nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Ministri i Jashtëm i Turqisë konfirmoi sot se xhamia turke në qytetin ukrainas të Mariupolit mbetet e paprekur pas raportimeve për një raketë që ra 700 metra larg nga objekti, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë shtypi në përfundim të Forumit të Diplomacisë në Antalya të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se “pulsi i diplomacisë” ka rrahur në këtë ngjarje gjatë katër ditëve të fundit, duke shtuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mbajti 11 takime dypalëshe në margjinat e forumit, ndërsa vetë Çavuşoğlu ka mbajtur 67.

“600 anëtarë të shtypit nga 27 vende morën pjesë në edicionin e dytë të forumit”, shtoi ai.

Duke cituar fjalët hapëse të presidentit Erdoğan të premten, Çavuğoğlu tha se forumi u fokusua në atë “si të përdoret më mirë diplomacia me synimet për të eliminuar pabarazitë globale”.

Ai vuri në dukje gjithashtu se Turqia mirëpret bisedimet e zhvilluara në Forumin e Diplomacisë në Antalya, duke kontribuuar në diplomacinë dhe dialogun.

Çavuğoğlu më tej informoi se të paktën 14.480 shtetas turq janë evakuuar nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Ministri i Jashtëm turk theksoi nevojën për një armëpushim humanitar dhe korridor, duke përfshirë qytetin e Mariupolit, duke vënë në dukje se çështja u diskutua në një takim trepalësh me ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas në Antalya të mërkurën.

Duke komentuar bisedimet me homologun e tij armen Ararat Mirzoyan, shefi i diplomacisë turke tha se ministri armen shprehu gatishmërinë e Jerevanit për të nisur bisedimet e paqes me Azerbajxhanin.

Sa i përket marrëdhënieve me Afganistanin, Çavuğoğlu tha se Turqia nuk po nxiton të njohë administratën e përkohshme të vendit dhe po pret, si shumë vende të tjera, që Kabuli të ndërmarrë hapat e nevojshëm.

Kategoritë
BotaLajme