Çairi përkujton viktimat e gjenocidit të Srebrenicës

Pjesëmarrësit mbanin pankarta në nder të viktimave të Srebrenicës dhe vendosën lule në monumentin përkujtimor për këtë gjenocid që ndodhet në Parkun e Çairit.

 Me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, Komuna e Çairit në Shkup ka organizuar marsh për të nderuar viktimat e gjenocidit, duke filluar nga oborri i komunës deri tek Parku i Çairit, raporton Anadolu.

Pjesëmarrësit, të cilëve iu bashkuan edhe zv/kryeministri për qeverisje të mirë i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai dhe kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, mbanin pankarta në nder të viktimave të Srebrenicës dhe vendosën lule në monumentin përkujtimor për këtë gjenocid që ndodhet në Parkun e Çairit.

Nga atje, zv/kryeministri Fetai tha se gjenocidi i Srebrenicës është plagë më e hidhur dhe më e madhe në kontinentin evropian.

“Është edhe më e dhimbshme kur shohim se qarqe të caktuara në rajonin tonë vazhdojnë ta mohojnë gjenocidin, vazhdojnë të zbatojnë politika negacioniste, politika revizioniste, të cilat nuk e kanë vendin në rajonin evropian, nuk e kanë vendin sigurisht në asnjë vend që synon të bëhet pjesë e BE-së, sepse mohimi i gjenocidit bie ndesh në mënyrë brutale me çdo vlerë të mundur evropiane”, tha Fetai.

Ganiu, nga ana e tij, tha se Srebrenica nuk është vetëm historia e Bosnjës, por historia e gjithë njerëzimit. Ai gjithashtu theksoi se është kujtesa e një errësire që ndodhi në zemër të Evropës.

“Jemi këtu për të vendosur një lule, por po vendosim shumë më tepër. Po vendosim kujtimin, dhimbjen, solidaritetin dhe zotimin tonë të përbashkët që kjo tragjedi të mos përsëritet më kurrë”, tha Ganiu.

Monumenti për gjenocidin e Srebrenicës i vendosur në Parkun e Çairit u ngrit më 11 korrik të vitit 2021, me motiv simbolik në nder të viktimave të gjenocidit.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjë e Hercegovinës pushtuan qytetin lindor boshnjak të Srebrenicës, i cili ishte shpallur “zonë e sigurt” e OKB-së dhe gjatë disa ditëve më shumë se 8 mijë burra dhe djem muslimanë boshnjakë u ndanë sistematikisht nga familjet e tyre dhe u varrosën në varre masive në atë që u bë masakra më e keqe në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjenocidi në Srebrenicë është njohur nga gjykatat ndërkombëtare dhe kombëtare, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, e cila vendosi që vrasjet masive përbënin gjenocid.

Krimi i tmerrshëm la plagë të thella në të gjithë Bosnjën dhe riformësoi përpjekjet e vendit për rimëkëmbje dhe pajtim pas luftës.

Kategoritë
LajmeRajoni