Bullgari, 205 të moshuar janë torturuar në azilet e pleqve

Ministri i Drejtësisë, Georgi Georgiev në një deklaratë për mediat tha se azilet e pleqve janë shndërruar në “shtëpi tmerri”

Në Bullgari zbulohet se 205 të moshuar janë torturuar në 5 azile pleqsh, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Ministria e Drejtësisë thuhet se një operacion u krye në 5 azile pleqsh që ofronin shërbime të paligjshme në qytetet Stara Zagora dhe Varna.

Në deklaratë vihet në dukje se 205 të moshuar u torturuan në 5 azile pleqsh.

Lidhur me të moshuarit që u torturuan u ndanë foto. Në foto shihet se të moshuarit janë dobësuar për shkak të neglizhencës dhe se janë të lidhur nga këmbët dhe të shtrirë nën shtretër.

Ministri i Drejtësisë, Georgi Georgiev në një deklaratë për mediat tha se azilet e pleqve janë shndërruar në “shtëpi tmerri”.

“Njerëzit këtu janë lidhur në shtretërit e tyre duke u vënë nën ndikimin e qetësuesve, janë torturuar dhe kanë vuajtur”, tha Georgiev.

Disa të moshuar u dërguan në spital dhe disa u transferuan në vende të tjera, njoftoi Georgiev duke shtuar se “Askush nuk ka parë kurrë një tmerr të tillë. Disa nga inspektorët dolën duke qarë pasi panë situatën”.

Georgiev tha se të moshuarit në azilet e pleqve mbaheshin robër dhe trajtoheshin mizorisht.

“Dyert ishin të kyçura, dorëzat e brendshme të dritareve ishin të shkulura, kushtet e higjienës ishin të neveritshme, nuk kishte çarçafë. U ishin marrë telefonat, njerëzit nuk kishin lidhje me botën e jashtme, nuk kishin karta identiteti. Nuk kishte kujdes të vazhdueshëm shëndetësor. Mjeku vinte vetëm kur dikush vdiste. Njerëz të pakualifikuar po u injektonin të moshuarve ilaçe të paspecifikuara”, tha ai.

Ndër të tjera Georgiev njoftoi se azilet e paligjshme të pleqve do të mbyllen dhe se do të vazhdojnë kontrollet e rrepta.

Kategoritë
LajmeRajoni