Britania e Madhe paralajmëroi njohjen e Shtetit të Palestinës “në kohën e duhur”

Prioriteti i menjëhershëm i Britanisë së Madhe është lehtësimi i vuajtjeve në Gaza dhe arritja e një armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, deklaroi të premten një ministër i qeverisë, edhe pse kryeministri Keir Starmer përballet me një presion në rritje për të njohur shtetin palestinez.

Emmanuel Macron njoftoi të enjten se Franca do të jetë vendi i parë i madh perëndimor që do ta njohë Shtetin e Palestinës, gjë që shkaktoi reagime të ashpra nga Izraeli dhe SHBA‑të.

Starmer do të bisedojë me udhëheqës të tjerë evropianë për mënyrat e presionit ndaj Izraelit që t’i japë fund luftës në Gaza. Para këtij takimi, ministri britanik për Shkencë dhe Teknologji, Peter Kyle, i dha një intervistë Sky News.

“Ne duam shtetësinë palestineze, synojmë drejt saj, dhe duam të krijojmë kushtet në të cilat një zgjidhje e qëndrueshme politike mund të zhvillohet. Por tani, sot, duhet të përqendrohemi te ajo që do t’i lehtësojë vuajtjet, dhe ato janë vuajtje ekstreme, të padrejta në Gaza, dhe ky duhet të jetë prioriteti ynë sot,” tha Kyle.

Kryebashkiaku i Londrës nga radhët e Partisë Laburiste, Sadiq Khan, dhe deputetë laburistë në komisionin parlamentar për çështje të jashtme deklaruan këtë javë se Britania e Madhe duhet ta njohë Shtetin e Palestinës.

Ministrja në kabinetin e Starmerit, Shabana Mahmood, tha se një hap i tillë do të sillte “më shumë përfitime” dhe do t’i dërgonte një mesazh të qartë Izraelit.

Qeveritë britanike njëra pas tjetrës kanë deklaruar se do ta njohin formalish­t Shtetin e Palestinës “në kohën e duhur”, por asnjëherë nuk kanë vendosur një afat kohor apo nuk kanë përcaktuar kushtet për këtë.

Komisioni i fuqishëm parlamentar për çështje të jashtme deklaroi të premten se “qeveria nuk mund të presë më për momentin perfekt sepse përvoja tregon se një moment i tillë kurrë nuk do të vijë.”

Starmer pritej të premten të zhvillonte një thirrje me udhëheqësit gjermanë dhe francezë për situatën në Gaza, të cilën e përshkroi si një katastrofë humanitare “të papërshkruar dhe të padrejtë.”

Megjithatë, në deklaratën me të cilën njoftoi këtë thirrje, Starmer tha se, edhe pse shtetësia është “e drejtë e patjetërsueshme e popullit palestinez”, Britania e Madhe nuk do ta mbështesë njohjen e saj para se të arrihet armëpushimi.

Një deputet laburist i tha Reuters se në parti ka pakënaqësi për Starmerin, sepse qeveria nuk ka ndërmarrë më shumë hapa diplomatikë për të dënuar Izraelin.

“Shumica prej nesh jemi të zemëruar për atë që po ndodh në Gaza dhe mendojmë se jemi tepër të rezervuar,” tha deputeti.

Pozitën e Starmerit e komplikuar edhe më shumë e bëri ardhja e presidentit amerikan Donald Trump në Skoci më vonë të premten, me të cilin ai ka ndërtuar marrëdhënie të ngrohta. Sa i përket politikës së jashtme, Britania e Madhe rrallë është ndarë nga Shtetet e Bashkuara.

Kategoritë
BotaLajme